Ka ndodhur

Vlorë/ Makina përplas çiftin francez që lëvizte me biçikletë, humb jetën gruaja

Gazeta Si – Një çift turistësh francezë që udhëtonin me biçikletë janë përplasur nga një automjet në fshatin Bestrovë të Vlorës në aksin e vjetër të kësaj rruge.

Për pasojë ka ndërruar jetë gruaja, ndërkohë që burri është dërguar me urgjencë në spital për marrjen e kujdesit të nevojshëm mjekësor.

Policia thotë se rreth orës 15:20, në aksin rrugor Bestrovë-Vlorë, automjeti me drejtues shtetasin K. D., 24 vjeç, banues në fshatin Oshtimë, Vlorë, ka aksidentuar 2 shtetas francezë (bashkëshortë), që udhëtonin me 2 biçikleta.

Si pasojë e aksidentit ka ndërruar jetë shtetasja franceze V. K., 51 vjeçe, ndërsa bashkëshorti i saj shtetasi F. M., 47 vjeç, ndodhet në spitalin e Vlorës, nën kujdesin e mjekëve.

Drejtuesi i automjetit, shtetasi K. D., u shoqërua në Komisariat, për veprime të mëtejshme.

Nuk dihet ende shkaku i aksidentit, por policia ndodhet në vendin e ngjarjes për të zbuluar arsyen e përplasjes.

Shpesh herë të huajt që udhëtojnë me biçikletë përshkruajnë këtë aks rrugor, pasi dhe trafiku i automjeteve është me i rrallë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë