Nga Gazeta Si - Angelina Jolie do të luajë rolin e sopranos Maria Kalas në “Maria”, filmi tjetër biografik me regji të kilianit Pablo Larraín.
Filmi do të rrëfejë jetën e Kalas (1923-1977) me dritëhijet e saj, duke e portretizuar karrierën e saj si një udhëtim “të trazuar, të bukur dhe tragjik” nga fillimet e saj deri në ditët e saj të fundit në Paris në vitet 1970.
Regjisori nuk e fshehu emocionin që ngjall ky projekt teksa bashkon “dy pasionet e tij të mëdha”, kinemanë dhe operën.
“Të sjellësh Maria Kalas me Angelina, një artiste e guximshme dhe kurioze, është një mundësi magjepsëse. Një dhuratë e vërtetë”, shtoi ai në një shënim.
“Unë e marr shumë seriozisht përgjegjësinë për të treguar jetën dhe për të mbledhur trashëgiminë e Marias, - rrëfeu diva Jolie. - Do të jap gjithçka që mundem për të përballuar këtë sfidë. Pablo Larraín është një regjisor që e kam admiruar prej kohësh. Të kesh mundësinë për të treguar historinë e Marias me të, dhe me një skenar të Steven Knight, është një ëndërr”.
Personazhi i sopranos së madhe është edhe një fat për Jolie, pasi dy filmat e fundit biografikë që ka drejtuar Larraín kanë marrë nominime për Oscar për protagonistët e tyre: Kristen Stewart e mori vitin e kaluar për “Spencer”, bazuar në jetën e Lady Diana; dhe Natalie Portman bëri të njëjtën gjë në vitin 2016 me “Jackie”, në lidhje me ish-zonjën e parë Jacqueline Kennedy Onassis. Nga ana e tij, regjisori u nominua edhe për Hollywood Academy Awards në vitin 2012 për “No”, nominimi i parë i Kilit për filmin më të mirë ndërkombëtar.
Kush ishte Maria Kalas
Maria Kalas ishte një soprano greke me origjinë amerikane.
Ajo ishte cilësuar nga Leonard Bernstein si “Bibla e operës”.
Maria ishte e njohur jo vetëm për zërin e saj, por edhe për raportet për sjellje të vështira divash dhe marrëdhënien e saj publike me Aristotle Onassis përpara se ai ta linte atë për Jackie Kennedy.
Ajo vdiq nga një atak në zemër në moshën 53-vjeçare.
Regjisori italian, Franco Zeffirelli, ishte përpjekur më parë të tregonte historinë e saj në “Callas Forever” të vitit 2002 me Fanny Ardant.
Jolie u pa për herë të fundit në thrillerin e Marvel’s Eternals dhe Taylor Sheridan, “Who Wish Me Dead”.
Filmi i saj i radhës, si regjisore, është drama “Without Blood”, me Salma Hayek.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.