Gazeta Si- “Isha tërësisht e varur prej tij. Më zinte frika sa do më braktiste dhe kam bërë çdo herë gjithçka që ka kërkuar ai. Për dy vite ai më qahej dhe unë i jepja para. Frika ime më e madhe ishte nëse do ndahesha çfarë do ndodhte me mua”. Mbi bazën e këtij rrëfimi të një ekonomisteje që punonte në exchange në kryeqytet, i dashuri i saj përfundoi në pranga për mashtrim. I riu nga Tirana me inicialet Y.K u arrestua pas një hetimi të hapur për vjedhje duke shpërdoruar detyrën e ekonomistes e cila sipas burimeve policore të Gazetasi.al, shkoi për të kallzuar në polici të dashurin e saj që për vite me radhë e shfrytëzoi dhe e përdori për qëllime përfitimi.
I riu me inicialet Y.K u prangos për llogari të procedimit numër 11453 tha policia për Gazetasi.al duke shpjeguar gjithë dinamikën e përdorur nga 43-vjeçari. Përgjatë verës i akuzuari paraqitej për muaj me radhë në sportelin ku punonte partnerja e tij dhe pasi zgjaste shuma të vogla eurosh për ti konvertuar, dilte prej andej me duart plot me para. Në total policia thotë se ai zhvati prej saj 12 milionë lekë të vjetra deri ditën kur gjatë muajit gusht, teksa pronarët bënë bilancin, vërejtën mungesën e parave.
D.K i thotë policisë se “arsyeja e ardhjes në komisariat është se unë jam përgjegjëse në një exchange në Tiranë. Këtë biznes e kam në emër të vajzës që është e martuar. Gjatë mbylljes së rakordimeve për muajin korrik dhe gusht pamë që nuk përputheshin një shumë parash. Por vazhduam punën pasi kujtuam se vinte problem nga dega tjetër”.
Megjithatë problemi ka mbetur i pazgjidhur dhe në fund pronarët kanë nisur një hetim privat. Si hap të parë për ta ishte kontrolli i lëvizjeve në brendësi të exchange ku dhe kanë kuptuar se punonjësja e re, e cila kishte vetëm shtatë muaj që kishte nisur punën aty, kryente lëvizje të dyshimta. E reja me inicialet B.SH e cila kujdesej për të atin dhe të vëllain e sëmurë, në të vërtetë nuk i kishte marrë paratë për ta, por për të dashurin. I dyshuari kishte shkuar deri aty sa një vit më parë i kishte kërkuar asaj që të kryente martesë fiktive me kushëririn e tij, në mënyrë që ta ndihmonte për mbiemrin, meqënëse kishte qenë i dënuar dhe donte të fshinte expuls.
“Martesën me kushëririn e tij e kreva në 2021 që kushëriri i tij tu shmangej probleme ligjore që kishte. Unë nga respekti dhe dashuria për Y.K pranova të bëj një martesë fiktive. E kam ndihmuar shpesh herë ekonomikisht pasi më shprehte problemet ekonomike të familjes dhe më vinte përpara përgjegjësisë. Kur unë nuk i përgjigjesha më ushtronte presion duke më thënë që do largohej nga unë, deri sa arriti në marrjen e lekëve në exchange. Erdhi tek lokali dhe filloi të më qante hallet siç ka bërë këto dy vjet, duke më thënë që vetëm unë mund ta shpëtoja dhe nëse nuk e ndihmoja dhe këtë radhë lidhja jonë do merrte fund. Për ti treguar dashurinë e madhe, u detyrova ta bëj edhe këtë gjë, të marr paratë dhe t’ja jap. Unë kam marrë për të edhe një kredi dhe vazhdoj ta paguaj me interesa. Ato para ja dhashë se premtoi që do i investonte në bitcoin”, deklaron e reja e cila e vuri e para policinë në dijeni. Policia i tha Gazetasi.al se për tre muaj me radhë mashtruesi ka qenë i shpallur në kërkim derisa uniformat blu i zbuluan adresën dhe e prangosën.
“Kërkoj falje për veprimet e mia. Ndihem thellësisht e penduar. Po të më jepej koha e mjaftueshme, do t’i ktheja paratë, pasi në shtëpi jetoj vetëm me babin 67 vjeç dhe vëllain e sëmurë që kanë nevojë për kujdesin tim”, ka shpërthyer në lot e reja siç bëjnë me dije të njëjtat burime.
Policia i tha Gazetasi.al se ka sekuestruar pamjet filmike në exchange ku dhe dallohet personi me inicialet Y.K që hyn dhe më pas shtetasja B.SH i jep paratë.
“Të gjitha paratë i kam marrë tek arka ditën kur erdhi Y.K, më zgjati 2 mijë lekë dhe i dhashë mbrapsht 1.5 milionë lekë ashtu siç më kishte thënë të veproja. Edhe herën e dytë dhe të tretë kam marrë nga një pako me para dhe i kam numëruar e ja kam dhënë përsëri në këmbimin valuator”, mbyll denoncimin e reja që u mashtrua gjatë një historie disa vjeçare që e zhyti në borxhe dhe në probleme me autoritetet.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



