“Kam qenë në tre kampe. Një prej tyre ishte Aushvic-Birkenau. Kampi që në të vërtet ishte për të vrarë.” Zilli Schmidt ishte mbi 90 vjeç, kur filloi të rrëfejë publikisht për historinë e saj të persekutimit. Ajo botoi edhe një libër. “Zoti kishte diçka parasysh me mua. Kujtimet e një sinteje.” Premtimi i saj ndaj lexuesve. “Për sa kohë të jem këtu, do t’ua rrëfej historinë time deri sa të mbyll sytë dhe të shkoj tek Zoti im.” E këtë premtim e mbijetuara e Holokaustit e mbajti. Në vitin 2021 ajo mori Kryqin e Meritës të presidentit gjerman për angazhimin e saj kundër urrejtjes, përjashtimit dhe ekstremizmit të djathtë. Kur kreut të bashkisë së Manhaimit që ia dha dekoratën iu desh pak më shumë kohë për ta fiksuar, ajo i tha miqësisht. “Zilli nuk dorëzohet”.


Zilli Schmidt nuk u dorëzua asnjëherë. Gruaja e vogël e imët me besim të fortë ishte e bindur se ajo i kishte mbijetuar për një fije terrorit nazist për të rrëfyer më vonë gjenocidin nazist mbi sinti dhe romët. Zilli rrëfente për fëmijërinë e lumtur pas lindjes si Zilli Reichmann në Tyringji, për udhëtimet me familjen dhe ofendimet në shkollë. Në luftë vëllai i saj i shërbente Wehrmachtit. Por kjo nuk e mbrojti familjen nga përndjekja e nazistëve. Ajo bashkë me kushërirat u kap në Straßburg. “Vepra penale: cigane”, ishte shënuar nga policia. Nga kampi i parë i përqëndrimit Lety në Böhmen ajo ia doli të arratiset.

Me rrezik për jetën
Por në mars 1943, Zilli në moshë të re, u dërgua e para nga familja Reichmann në të ashtuquajturin “kamp i familjeve të ciganëve” në Aushvic-Birkenau. Për të ndihmuar fëmijët dhe të tjerët ajo rrëfente se ka vjedhur shumë, patate në kuzhinë, çizme në depo duke rrezikuar edhe jetën. Edhe familja e saj erdhi në Aushvic, bashkë me vajzën Gretel. Aty u përballën me dhunë, me uri, me plumba ndaj të fëmijëve të vegjël, vrasje masive. Zilli ishte e vetmja në familje që më 2 gusht 1944 nga Aushvic u deportua në kampin e përqëndrimit Ravensbryk. Aty ajo mësoi se të gjithë të mbeturit në kampin e ashtuquajtur “kampi i ciganëve” ishin vrarë në dhomat e gazit: prindërit, motra Guki me fëmjët, vajza e saj katër vjeçare, Gretel. Vetëm në këtë natë SS-t vranë rreth 4300 njerëz që qanin dhe bërtisnin, një ditë tmerri e gjenocidit nazist ndaj sinti dhe romëve në Europë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




