Nga Gazeta Si - Kinematografia shqiptare prezantohet për herë të parë në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit “Lumiere” në Francë.
Pas Tiranës, filmi i parë artistik me metrazh të gjatë shqiptar “Tana” i restauruar shënoi premierën europiane në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit “Lumiere”, në Lion.
Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit dhe Shqipëria marrin pjesë për herë të parë, në programin “Thesare dhe kuriozitete” (Treasures&Curiosities).
AQSHF bën me dije se shfaqja e filmit u prezantua nga Maelle Arnaud, drejtoreshë e programacionit të festivalit “Lumiere”, e cila më pas do t’ia jepte fjalën drejtoreshës së arkivit, Marinela Ndria për të prezantuar filmin dhe procesin e restaurimit.
Ndria në fjalën e saj solli në vëmendje se filmi “Tana” u realizua nga një nga regjisorët e parë shqiptarë, i cili u nda nga jeta në 14 gusht. Po ashtu ajo shprehu mirënjohjen për mundësinë që të prezantonin filmin e procesin e restaurimit të tij.
Sipas AQSHF-së, prezantimi u mbyll nga studiuesi Joël Chapron në një atmosferë të ngrohtë në sallën e mbushur plot me dashamirës të kinemasë klasike europiane.
Festivali do të vijojë deri më datë 23 të këtij muaji.
AQSHF shprehet ndër të tjera se “Thesare dhe kuriozitete” (Treasures & Curiosities) është një program i rëndësishëm për të na kujtuar se sa e rëndësishme është që të njihemi me filma nga kinematografitë pak të njohura, por të domosdoshme, duke theksuar punën e vazhdueshme dhe aktive të bibliotekave dhe arkivave të filmave nga e gjithë bota për të restauruar dhe sjellë në jetë kinemanë klasike.
Filmi shqiptar “Tana” ka dy shfaqje në këtë festival. Njëra ishte më 18 tetor në Institut Lumiere dhe tjera do të jetë më 21 tetor në Lumiere Terreaux. Gjithashtu, delegacioni nga AQSHF merr pjesë në Marketin Ndërkombëtar të Filmit Klasik MIFC, ku do të prezantojnë kinematografinë shqiptare në festivale apo distributorë të tjerë të interesuar për ta shfaqur.
Restaurimi i filmit
Në korrik të këtij viti, premiera e versionit të restauruar e filmit të parë shqiptar me metrazh të gjatë “Tana” u shfaq në kuadër të 70-vjetorit të Kinostudios, por edhe të muajit të kinematografisë.
Filmi “Tana” është filmi i parë shqiptar me metrazh të gjatë, prodhim i vitit 1958 nga “Shqipëria Film”, e transformuar më pas në Kinostudio “Shqipëria e Re”. Premiera e tij u shfaq më 17 gusht 1958. Filmi ishte me regji të Kristaq Dhamos, i cili u nda nga jeta dy muaj më parë, skenar të Fatmir Gjatës e Nasho Jorgaqit dhe muzika nga Çesk Zadeja.
Në rolet kryesore ishin aktorët Tinka Kurti, Naim Frashëri, Pjetër Gjoka e Kadri Roshi ku ngjarjet zhvillohen në vitet ‘50.
Në qendër të filmit është Tana, (aktorja Tinka Kurti) një vajzë e zgjuar dhe me mendime të përparuara. Ajo dashuron Stefanin, i cili banon në një fshat të varfër malor.
Por Tana do të përballet me mentalitetin e vjetër të gjyshit të saj si dhe xhelozinë e Lefterit.
Në këtë film është realizuar edhe puthja e parë në filmat shqiptarë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.