Gazeta Si – Një grup kriminal prej 16 personash që merreshin me kultivim kanabisi, është goditur në fshatin Bardhaj në Shkodër.
Gjatë operacionit u arrestuan në flagrancë 10 punëtore nga Tirana, Fushë Kruja dhe Kamza që ishin punësuar nga 42-vjecarja Danjela Hasani, e dënuar dhe 3 herë të tjera po për këtë veprimtari kriminale. Ajo gjente punëtore, kryesisht nga Tirana dhe Kruja, për të përpunuar kanabisin.
Banesa ishte në pronësi të 31-vjeçarit Pjetër Gjoni, i cili grumbullonte bimë narkotike kanabis për përpunimin dhe përgatitjen për shitje.
Gjatë operacionit, forcat blu kanë gjetur sasi lënde narkotike në proces tharjeje dhe lëndë narkotike të thatë, me peshë totale 86 kilogramë kanabis.
“Mbi bazën e informacioneve të mara në rrugë operative, është organizuar dhe finalizuar faza e katërt e megaoperacionit, e zhvilluar në lagjen “Bleran” të fshatin Bardhaj, njësia administrative Rrethina Shkodër, ku u arrestuan në flagrancë 16 shtetas dhe u shpall në kërkim 1 tjetër,” njoftoi Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, Hamdi Fjora.
Gjithashtu, gjatë kontrollit në ambientet e kësaj banese, janë kapur në flagrancë duke përpunuar lëndën narkotike, 10 shtetase: Danjela Hasani, Drita Çuni, Dorentina Hoxha, Franga Gjini, Hurme Bafti, Mimoza Hoti, Elida Doku, Blerina Meta, Valbona Haka dhe Fatime Baftaj, nga Tirana, Kamza dhe Fushë Kruja, të cilat në përfundim të veprimeve u arrestuan në flagrancë.
Njëra prej këtyre shtetaseve, konkretisht D.H., 42 vjeçe, banuese në Kombinat, Tiranë, e dënuar edhe 3 herë të tjera më parë po për këtë veprimtari kriminale, kishte rolin e organizatores. Ajo gjente punëtore, kryesisht nga Tirana dhe Kruja, për të përpunuar kanabisin.
Po gjatë operacionit, shërbimet e Policisë kanë kapur dhe arrestuar në flagrancë shtetasit:
Zef Gjoni, 56 vjeç dhe Antoneta Gjoni, 55 vjeçe (bashkëshortë) dhe 3 djemtë e tyre, shtetasit:
Elvis Gjoni, 24 vjeç, Ronald Gjoni, 22 vjeç dhe Pjeter GJoni, 31 vjeç, si dhe shtetasja Flora Gjoni, 29 vjeçe, bashkëshortja e shtetasit P. GJ.
Në vijim të veprimeve u shpall në kërkim shtetasi Fabion Gjoni, 31 vjeç, djali tjetër i bashkëshortëve Z. Gj. dhe A. Gj.
Nga hetimet ka rezultuar se shtetasi P. Gj. grumbullonte bimë narkotike kanabis për përpunimin dhe përgatitjen për shitje.
Këta shtetas, dyshohet se në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë kryer veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.
Në vijim të kontrollit, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan 86 kilogramë kanabis, dy ventilatorë që shërbenin për tharjen e bimëve narkoitke, 3 automjete dhe 15 aparate celulare.
Materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale”, të kryera në bashkëpunim.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




