Një fshat në Maharashtra, Indi ka shpallur “pavarësinë” nga dy varësitë moderne: televizioni dhe celulari. Të paktën për disa orë çdo ditë.
Një sirenë bie çdo mbrëmje në orën 19:00 në fshatin Vadgaon, një tregues për të gjithë banorët që të fikin televizorët dhe telefonat celularë.
Ata mund t’i ndezin vetëm pasi sirena të bjerë përsëri në orën 20:30.
“Ne vendosëm në mbledhjen e fshatit më 14 gusht që na duhej ta ndalonim këtë varësi”, i tha BBC Hindi Vijay Mohite, president i këshillit të fshatit.
Vadgaon ka një popullsi prej rreth 3000 njerëz, të përbërë kryesisht nga fermerë dhe punëtorë të fabrikës së sheqerit.
Mohite tha se fëmijët ishin bërë të varur nga TV dhe telefonat gjatë pandemisë Covid-19 duke qenë se mësonin online. Ndërsa institucionet arsimore u rihapën këtë vit, fëmijët u kthyen në klasa por përsëri ktheheshin në shtëpi duke parë në telefon ose në televizor. Gjithashtu edhe shumë të rritur po shpenzonin shumë kohë me pajisjet e tyre dhe nuk flisnin me njëri-tjetrin.
Vandana Mohite tha se e kishte të vështirë të kontrollonte dy fëmijët e saj “sepse ato fokusoheshin plotësisht në lojën me telefon ose në televizor”.
“Që kur filloi “pavarësia”, burri im kur kthehet në shtëpi nga puna i ndihmon fëmijët të studiojnë ndërkohë që unë bëj punët”, tha ajo.
Por nuk ishte e lehtë për këshillin e fshatit që të bindte të gjithë të pajtoheshin me idenë e një “detoksifikimi dixhital”.
Mohite tha se fillimisht, kur këshilli diskutoi këtë çështje dhe iu dërgua një propozim fshatarëve, njerëzit u tallën me idenë.
Më pas këshilli mblodhi gratë e fshatit, të cilat ishin mjaft të hapura për të pranuar se mund të hiqnin dorë nga serialet që shikonin dhe të gjithë ngadalë ranë dakord që të fiknin televizorët dhe celularët për disa orë.
U mbajt një mbledhje tjetër e këshillit dhe u vendos që mbi tempullin e fshatit të vendosej një sirenë.
Vendimi nuk ishte i lehtë për t’u zbatuar. Ndërsa sirena ra, stafi i këshillit dhe grupet e fshatarëve duhej të shkonin përreth, duke u kërkuar njerëzve të fiknin televizorët dhe telefonat celularë.
“Tani, vendimi më në fund është zbatuar plotësisht në të gjithë fshatin”, thotë Mohite.
Por, a ndihmon fikja e shkurtër e televizorit dhe telefonit?
“Mund të ndihmojë”, thotë Manoj Kumar Sharma, profesor i psikologjisë klinike në Institutin Kombëtar të Shëndetit Mendor dhe Neuroshkencave.
Një studim i kryer nga Sharma dhe kolegët e tij midis 682 të rriturve (495 femra dhe 187 meshkuj) midis korrikut dhe dhjetorit 2020, tregoi se “përdorimi problematik i internetit” ishte një fenomen me zhvillim të shpejtë midis adoleshentëve dhe të rinjve.
“Rreziku për përdorim problematik rritet me përdorimin e tepërt joproduktiv të internetit, i cili mund të shkaktojë stres psikologjik”, zbuloi studimi.
“Ka potencialin të dëmtojë shumë aspekte të jetës së adoleshentëve”.
“Agjërimi dixhital” i ndërgjegjëson të gjithë që të kalojnë më shumë kohë jashtë ose me njerëz të tjerë”, thotë Sharma.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.