Ekonomi

Miratohet projekt-buxheti 2023. Ibrahimaj: Ekonomia do rritet me 2.6% vitin tjetër

Pas mbledhjes së qeverisë, ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, tha se është miratuar projekt-buxheti për vitin 2023 i cili do të prezantohet javën e ardhshme. Ministrja tha se ekonomia shqiptare për vitin e ardhshëm do të rritet në terma realë në masën 2.6 për qind. Ky parashikim në ulje vjen për shkak të parametrave makroekonomikë që parashikojnë një recesion teknik për vendet e Bashkimit Europian.

“Do të vijojmë që gjatë vitit të ardhshëm të kemi një konsolidim fiskal, duke reduktuar nivelin e pritshëm të borxhit publik, duke reduktuar normat e deficitit dhe duke parashikuar një balancë primare pozitive. Projekt-buxheti që sapo dorëzuam reflekton këto parametra makro-ekonomik.  Projekt-buxheti do ju prezantohet javën e ardhshme në komisione. Ky buxhet do vendosë të mbështesë mos rritjen e energjisë për konsumatorët familjarë dhe për bizneset vogla dhe gjithashtu do vijojë të mbështesë shtresat në nevojë”, u shpreh ministrja.

Ajo tha se gjatë vitit të ardhshëm ekonomia e Shqipërisë pritet të rritet me një normë 2.6 % në terma realë dhe 5.7 % në terma nominalë.

“Parashikojmë që inflacioni që ka qenë kryefjala e këtij viti dhe shqetësimeve të lidhura me rritjen ekonomike, të nisë të ngadalësohet duke arritur në një nivel mesatar prej 3.6 %.

Lidhur me parametrat ekonomikë, kemi disa skenarë, parashikojnë një recension teknik të vendeve të BE e kjo është arsyeja pse e kemi ulur parashikimin për 2023 nga mbi 3% që e kishim në fillim të këtij viti në 2.6%. Marrim parasysh që rreziqet që lidhen me parashikimin për vitin e ardhshëm janë në krahun rënës e ky projekt buxhet do bëjë të mundur të krijojë hapësriat që ekonomia të përballojë rreziqet në një formë të duhur e solide duke krijuar hapësira për cdo goditje që mund të vijë në të ardhmen”, theksoi ministrja.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë