Para

Amnistia mund të nxisë inflacion edhe më të lartë

Nga Gisela Troplini - Përpos argumenteve të ripërmendura pro dhe kundër ndaj kthimit të një amnistie fiskale në Shqipëri, për efektet në sektorin financiar, formalizimin e ekonomisë apo financimin e saj, është lënë mënjanë efekti kryesor dhe gjithëpërfshirës i saj; çmime më të larta për konsumatorët.

Në një analizë për Gazetasi.al, eksperti i ekonomisë, Eduard Gjokutaj tregon se në kushtet momentale të ekonomisë së vendit, amnistia do të prodhojë inflacion shtesë dhe konsumatorët e thjeshtë janë ata që do të preken drejtëpërdrejt. Ai tregon se konsumatorët do ta ndjejnë në dy forma amnistinë, në çmime dhe në ofertë.

Eksperti i ekonomisë, Eduard Gjokutaj, gazeta "SI"

“Konsumatori do të ndikohet direkt nga efektet nga furnizimi me mallra me çmime më të larta por edhe në një ofertë mjaft kaotike, pasi rregullat e tregut do të ndikohen nga paraja informale që në konkurencë të pabarabartë me tregun formal do të prishë zinxhirin aktual të qarkullimit të mallrave duke tentuar të vendosë rregulla të reja të diktuara jo nga logjika e tregut”, shpjegon eksperti Gjokutaj.

Ai shton se paratë e tepërta në treg e bëjnë sfiduese për konsumatorin të përfitojë mallra dhe shërbime me çmime më të mira për ta, por ndikon gjithashtu edhe mbi bizneset nëpërmjet prishjes së ambjentit të konkurrencës, duke ndikuar më pas. në uljen e produktivitetit të ekonomisë.

Eksperti thotë se në rast se në momentin që nis deklarimi i parave kërkesa për para është e vogël, kjo do të duhet të përballet me masa antiinflacion dhe stabilizuese të tregut monetar. Por në situatën aktuale ekonomike të Shqipërisë, kjo do të dështojë politikat e ndjekura nga banka qendrore, si rezultat i ndikimit të parasë së zezë në kërkesën për para.

Gjokutaj shpjegon më me detaje për Gazetasi.al se çfarë ndodh me të gjithë ekonominë, në rastin e ekzekutimit të amnistisë. Efekti nis me rritjen e normës së shpenzimeve për shkak të rrjedhës së pakontrolluar dhe të shpejtë të parave në vend, duke shkaktuar një zinxhir efektesh të tjera. Eksportet dhe importet mund të kenë rritje të lartë, të shoqëruar me inflacion të lartë dhe nga politika monetare me kundërmasat e saj në rritjen e normave të interesit për të përballuar fluksin e stërmadh monetar.  Politika monetare do të ndikohet negativisht nga këto kërkesa të ndryshme për para të shkaktuara nga paraja e zezë.

“Për më tepër, pastrimi i parave mund të rezultojë në zhvendosje të çrregullta në kërkesën për para dhe paqëndrueshmëri të konsiderueshme në flukset e kapitalit dhe në kurset e këmbimit”,-e mbyll fjalën e tij eksperti i ekonomisë.

Ndonëse ministrja e Financave, Delina Ibrahimaj, ka deklaruar se drafti i Amnistisë është ende në konsultim dhe nuk ka një datë fikse për përfundimin e saj, BSH pret që inflacioni i lartë të vazhdojë deri në gjysmën e vitit 2024. Pra në dy vitet në vazhdim, ekonomia e Shqipërisë do të vazhdojë të jetë në të njëjtat kushte dhe Amnistia do të vazhdojë të ushtrojë të njëjtin presion mbi çmimet dhe konsumatorët.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë