Drejtësia

SPAK dorëzon apelimin kundër lirimit të Alqi Bllakos për shkak të ‘fëmijëve të vegjël’

Gazeta Si - Pa kaluar shumë orë nga vendimi i Gjykatës së Posaçme që nxorri nga burgu ish-Sekretarin e Përgjithshëm të Ministrisë së Mjedisit Alqi Bllako, SPAK ka dorëzuar apelimin.

Burime shumë të sigurta i thanë Gazetasi.al se prokurorët e posaçëm kundërshtojnë argumentin që u pranua për Bllakon, atë të fëmijëve të vegjël.

“Nuk e gjejmë në asnjë pikë të ligjit në arsyetimin se kur njëri nga prindërit ka fëmijë të mitur, ai duhet të lërë ambientet e paraburgimit”, - arsyetoi në telefon njëri nga burimet e Gazetasi.al.

Ky argument është përdorur edhe në apelimin ku kërkohet kthimi i ish-zyrtarit në paraburgim.

Kartën e fëmijëve, Bllako e ka përdorur edhe më herët në seanca të mbyllura që Gazetasi.al, zbardhi duke treguar se ish-sekretari i dyshuar për aferën e inceneratorëve dhe për mënyrën se si u tjetërsua një truall, u mbrojt me qasjen e prindërimit.

Por një tjetër ish-zyrtar i lartë në një dosje të ngjashme dhe të cilin Bllako, ish- deputet e ka patur epror, po bëhet gati të lërë qelitë.

Burimet e Gazetasi.al janë të bindura se ish-ministri I Mjedisit Lefter Koka, në burg prej dhjetorit 2021, me shumë mundësi do fitojë një masë më të butë.

Ashtu si ish-deputeti socialist, edhe ish-ministri pritet të shkojë nën masën e sigurisë “arrest shtëpie” dhe parashikohet të fitojë me kartelën shëndetësore dhe jo vetëm.

“Po të kemi parasysh qëndrimin e gjykatave për zyrtarët, ato përherë janë humaniste“, interpretoi një avokat i një çështjeje të ngjashme, i cili ka në burg një zyrtar të nivelit të ulët dhe ndonëse klienti i tij është me diabet, kërkesa për t’u kuruar në shtëpi i është refuzuar.

“Kërkesa e Lefter Kokës që ka të njëjtat diagnoza, parashikoj që do pranohet”, thekson avokati.

Megjithatë, një ditë më parë, Gjykata e Lartë rrëzoi kërkesën e Kokës për ndryshimin e masës së sigurisë

Lefter Koka u arrestua në fund të vitit të shkuar për çështje korrupsioni . Ai nuk i ka pranuar akuzat.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë