Nga Gazeta Si - Ministria e Kulturës ka hapur garën për drejtor në Teatrin Kombëtar.
Nga janari i vitit 2014 Teatri Kombëtar drejtohet nga Hervin Çuli, i cili u rikonfirmua në këtë post dhe në muajin prill të vitit 2018.
Konkursi nga Ministria e Kulturës për drejtues të Teatrit është hapur më 30 shtator dhe afati për dorëzimin e dokumenteve do të jetë deri më 28 tetor.
“Referuar Ligjit 7961, datë 12.07.1995 ‘Kodi i Punës i Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar, si dhe kërkesave e procedurës së përcaktuar për konkurrim në Vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 173, datë 07.03.2003 “Për emërimin, lirimin ose shkarkimin nga detyra të drejtuesve të institucioneve, në varësi të Këshillit të Ministrave, Kryeministrit ose Ministrit’, Ministria e Kulturës shpall konkursin për pozicionin: Drejtor, në Teatrin Kombëtar, kategoria e pagës II-b. Afati për dorëzimin e dokumenteve pranë Zyrës së Protokollit, në Ministrinë e Kulturës deri në datë 28.10.2022”, thuhet në faqen e MK.
Në njoftim më tej bëhet me dije se kandidati duhet të plotësojë kërkesat e posaçme si: Të ketë arsim universitar të nivelit “Master Shkencor” në fushën e artit, menaxhimit të artit kulturor; Të ketë të paktën 5 vite përvojë pune në profesion dhe/apo përvojë të konsiderueshme në drejtim, menaxhim dhe krijimtari në fushën e artit si dhe në drejtimin e projekteve kulturore. Të njohë problemet aktuale dhe sfidat e teatrit shqiptar me qëllim reformimin e tij; Të ketë përvojë në konceptimin dhe ekzekutimin e projekteve afatgjata në fushat e artit dhe të kulturës. Po ashtu të ketë përvojë në ndërtimin dhe mbajtjen e marrëdhënieve me donatorë dhe grupe të tjera interesi, si dhe në ngritjen e fondeve prej burimeve të ndryshme - si të sektorit publik ashtu dhe privat dhe t’i dëshmojë ato; Të ketë përvojë me teatrin e të rinjve dhe në programe të Edukimit Përmes Kulturës; Të ketë përvojë në artin multimedial; Të zotërojë shumë mirë gjuhën angleze, etj.
Ndër të tjera, kandidatët duhet të propozojnë një platformë për administrimin e Teatrit Kombëtar.
Regjisori dhe aktori Hervin Çulli u rizgjodh në 2018-n sërish drejtor i Teatrit Kombëtar ku përballë tij në garë ishin artistët edhe Ema Andrea, Genc Fuga dhe Laert Vasili.
Por në intervista televizive, Çuli do ta cilësonte katërvjecarin e dytë të mandatit të tij si një katërvjecar hallesh, pasi Teatrit Kombëtar iu desh të strehohej në një godinë alternative të arteve skenike si “ArtTurbina” duke i vënë drynin godinës më shumë se tetë dekadash të vjetër, për t’u strehuar me trupën atje. Por edhe pandemia sfidoi çdo drejtues institucionesh për të gjetur mënyra e forma të reja të të bërit art.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.