“Me shaka them se pasuria ime më e shtrenjtë, ajo që vlerësoj më shumë se veglat e punës, librat, pikturat dhe antikuarët e trashëguar nga familja, është kutia e vetëvrasjes, që e mbaj të fshehur në shtëpi”. Kështu shkruan Henry Marsh, neurokirurgu i njohur britanik, në parathënien e librit të tij të dytë, i cili ka mbërritur për lexuesin shqiptar me përkthimin e një tjetër neurokirurgu të njohur në vendin tonë, Mentor Petrelës, botuar nga “Minerva”, me titullin “Rrëfimet-Jeta si kirurg i trurit”. Për përurimin e këtij botimi të dytë në gjuhën shqipe, i pranishëm ishte vetë z.Marsh, ndërsa rrëfeu për të pranishmit në mjediset e Akademisë së Shkencave më shumë rreth motiveve që e çuan të shkruante këtë libër. “Shpresoj se libri do të ndihmojë mjekët dhe pacientët të kuptojnë veten dhe tjetrin, pak më mirë”, tha ai, ndërsa zbuloi se në këtë libër ka prekur temën e vetëvrasjes së asistuar, njohur ndryshe si eutanazi.
Përpjekjet për vetëvrasje shihen shpesh, nga stafi i spitalit, me përbuzje e mospërfillje – dështim si në jetë dhe në vdekje dhe si mjete të fatkeqësisë vetjake”
“Libri i dytë është pak i ndryshëm nga i pari, është pak më filozofik. Disa prej jush mund ta shohin si tronditës, sepse libri ka të bëjë me vdekjen dhe eutanazinë”, thotë Marsh, gjatë përurimit të librit, ndërsa rrëfen se në dyzet vitet e karrierës së tij si mjek ka vënë re një ndryshim të madh në marrëdhënien mes pacientëve dhe mjekëve. Silueta e tij, në fakt nuk është ajo klasikja e një mjeku në uniformë; bluzë, kapuç e syze. Marsh vendosi ta rrëfejë jetën si kirurg në moshën e tij të pensionit, duke menduar se përvoja e tij, e sidomos ajo e dështimeve do të jetë një inkurajim, për të rinjtë që të mos përjetojnë traumën e “gabimeve” përgjatë karrierës në mjekësi.
“Para 40 vitesh në Angli, mjekët nuk kritikoheshin, kishte fare pak të proceseve gjyqësore, por ishte e pazakontë në përgjithësi. Tani në Angli ka gjithnjë e më shumë kriticizëm ndaj mjekëve, nuk ka ditë që nuk sheh në gazeta skandale në lidhje me mjekët dhe ka më shumë padi gjyqësore kundër mjekëve dhe gjithnjë e më shumë ligje burokratike për mjekët. Në librin tim të ri flas edhe për këtë”, zbulon ai për një auditor, të njohur me botimin e parë të neurokirurgut në gjuhën shqipe. Marsh tha se këto ndryshime të raportit mjek-pacient, do të ndodhin shumë shpejt edhe në vendin tonë.
Shtysa për ta shkruar këtë libër të dytë ishte, rrëfen më tej Marsh, një përpjekje për të edukuar publikun jomjekësor rreth faktit se “ne mjekët përballemi me pasigurinë dhe probabilitetin, por pacientët duan sigurinë, ne si mjekë nuk e japim dot.” Ai flet për mjekët si qenie njerëzore, të përballur me atë pasiguri, të cilën shpesh u duhet ta fshehin përpara pacientëve, duke u hequr si më të sigurt dhe me më shumë vetëbesim. Kjo lloj dileme dhe ankthi që përjetojnë, edhe mjekët me më shumë përvojë, e ka bërë librin të pëlqyer ndër mjekët e rinj dhe studentët e mjekësisë .
“Pacientët nuk kanë zgjedhje tjetër, veçse të na besojnë. Dhe është detyra jonë të punojmë fort për të merituar atë besim që pacientët na japin dhe duhet të rezistojmë dhe të luftojmë fort.” – Henry Marsh
Marsh tha se gjatë karrierës së tij të gjatë ka hasur shumë vështirësi, ndërsa zbuloi se ende punon. Pas botimit të bestsellerit “Mos bëj dëm”, Marsh u tërhoq nga puna e tij me kohë të plotë në Angli për të punuar si vullnetar në Ukrainë dhe në Nepal. “Libri i dytë është pjesërisht rreth karrierës sime, e cila po vjen në fund dhe ende më pëlqen të punoj dhe të kujdesem për pacientet, por duhet të ndalem herët a vonë.” Profesionin e mjekut e ka parë si privilegj, të vështirë, por të madh. “Pacientët nuk kanë zgjedhje tjetër, veçse të na besojnë. Dhe është detyra jonë të punojmë fort për të merituar atë besim që pacientët na japin dhe duhet të rezistojmë dhe të luftojmë fort. Nëse një operacion shkon mirë, pacienti mendoj se je i mrekullueshëm, edhe nëse je i pasjellshëm me të. Kjo mund të na korruptojë”, thotë Marsh.
Të shkruarit, ka rrëfyer mjeku, iu kthye në një terapi. “Besoj se kam jetuar një jetë shumë interesante; truri është shumë interesant, jeta e pacientëve është shumë interesante.”Nëse do të pyesje cilindo mjek, sipas Marsh-it, se çfarë ka interesante në punën e tyre, do të përgjigjeshin se janë pacientët, “por jo në kuptimin mekanik, në kuptimin njerëzor.”Ai thotë se nuk e pati të vështirë të shkruante dy librat e parë. “Ishte rrëfim i historive, thjesht përshkruaja çfarë kisha parë dhe çfarë më kishte ndodhur mua dhe pacientëve të mi”, tha ai ndërsa zbuloi se po shkruan një tjetër, “marrisht kam rënë dakord të shkruaj një libër të tretë, botuesi do ta dijë sa i keq është nëse do të shesë, por më duket shumë më i vështirë për ta shkruar sepse nuk tregoj histori, shkruaj në një mënyrë më historike dhe filozofike.”
Në shtratin e vdekjes, shumë prej nesh do të mbajmë ende një fije shprese në një qoshk të mendjes dhe vetëm në çastin e fundit do kthejmë kokën mënjanë dhe do japim shpirt…
Ajo që ka habitur, botuesin Bujar Hudhri, është se Marsh shkruan më tepër për dështimet dhe gabimet sesa për arritjet e tij. “Kur e kam pyetur, është përgjigjur se e bën për t’i dhënë një mësim mjekëve të rinj, të jenë të ndjeshëm me pacientët. Henry Marsh, një yll i kirurgjisë botërore, është aq i përulur përpara njeriut”, thotë Hudhri, ndërsa neurokirurgu Mentor Petrela, përkthyer i librave të Marsh-it në shqip, thotë se përkthimi ka qenë një përgjegjësi e madhe “shoqëruar me një ndjenjë frike se mos po tradhton atë që do të thotë autori. Shpresoj që libri të jetë një përkthim sa më afër vërtetësisë së asaj që Henry Marsh ka shtjelluar për letërsinë botërore, por dhe atë shqiptare”, u shpreh Petrela, ndërsa mjeku anglez e inkurajoi kolegun shqiptar t’i kushtohet të shkruarit.
Botuesi Hudhri mendon se librat jo-fiction kanë sukses në shitje, e provuar edhe me lexuesin shqiptar. “Tani njerëzit duan të lexojnë gjëra të vërteta, që frymëzojnë, qetësojnë dhe informojnë më mirë”, thotë Hudhri, duke pranuar se letërsia artistike nuk është në ditët e saj më të mira. “Kam mësuar se të prekësh me dorë trurin nuk të thotë asgjë për jetën – përveç se të tronditesh nga brishtësia e tij. Karrierën time do e mbyll jo tamam i deziluzionuar por, në një farë mënyre, i zhgënjyer. Kam mësuar më shumë për gabueshmërinë time dhe vrazhdësinë e kirurgjisë (edhe pse është kaq shpesh e nevojshme), se mbi mënyrën si punon vërtetë truri”, shkruan Marsh në librin e tij të dytë.
Duke reflektuar se çfarë i kanë mësuar dyzet vite përballjeje me trurin e njeriut, Marsh gjen një qëllim tjetër në jetë.“Ajo që kam mësuar nga të qenit mjek, ka qenë për veten, dobësitë, sesa e lehtë është të bësh gabime”, thotë ai për audiencën shqiptare, duke theksuar rëndësinë e kolegëve të mirë në një punë si e tij. “Kritika pozitive është e rëndësishme dhe është njësoj si të shkruarit. Kur shkrova draftin e parë të librit të parë e ndava me gruan, që është një shkrimtare shumë e mirë, antropologe dhe kritike dhe, pas kritikave, libri u përgjysmua. Pastaj ia tregova gjysmën agjentit letrar dhe ai e preu sërish në gjysmë dhe më pas e ndava me botuesen dhe ajo e ndau sërish në gjysmë dhe kështu u bë libër shumë herë më i mirë, për shkak të kritikës nga njerëzit që u besoj. Është njësoj me vendimmarrjen dhe diagnozat që nxjerrin mjekët.
Një mjek i mirë duhet t’u flasë të dy qenieve kontradiktore brenda pacientit që po vdes – pjesës që e di që po vdes dhe asaj që shpreson se do të rrojë ende.
Marsh gjithashtu përballet me barrën e përgjegjësisë që mund të vijë nga përpjekja për të pakësuar vuajtjen njerëzore. Duke zbuluar për herë të parë kujtime të ditëve të tij të hershme si student i mjekësisë dhe përvojat, që e formuan si një kirurg të ri në moshë, ai eksploron vështirësitë e një profesioni që merret me probabilitete në vend të sigurisë, si dhe kur dëshira e fortë për të zgjatur jetën mund të vijë me një kosto tragjike për pacientët dhe për ata që i duan. Në librin “Rrëfimet…” ai përshkruan vështirësitë e punës në shtete të trazuar dhe të varfër ku ka punuar si vullnetar, si dhe çfarë ka kuptuar më tej nga praktika e mjekësisë. Disa, madje thonë se vetë ndërgjegjja është një iluzion – pra, nuk është “e vërtetë”, por një rreng i luajtur nga truri ynë – por unë nuk e kuptoj se ç’duan të thonë me këtë. Një mjek i mirë duhet t’u flasë të dy qenieve kontradiktore brenda pacientit që po vdes – pjesës që e di që po vdes dhe asaj që shpreson se do të rrojë ende. Një mjek i mirë as nuk e gënjen dhe as nuk e privon pacientin nga shpresa e jetës qoftë kjo edhe për disa ditë. Por kjo nuk është e lehtë dhe kërkon kohë – kohë plot me heshtje të gjata, shkruan Marsh në librin “Rrëfime”.
“Është tunduese ta fshehësh të vërtetën dhe, në vende si Ukraina, edhe po i the familjes të vërtetën, ata nuk e pranojnë. Nëse kërkoni në internet gjeni mjekë që mund të thonë se mund të trajtojnë këto tumore të pashërueshëm me kosto në dhjetëra mijëra dollarë dhe ky s’është gjë tjetër veçse shfrytëzim. Nuk e di si është në Shqipëri, por në Pakistan, në Karaçi, shumë mjekë janë vrarë nga familjet e pakënaqura; ata mendojnë se nëse operacioni dështon është gabim i mjekut. Nuk munden ta pranojnë se gjithçka ka të bëjë me pasigurinë dhe probabilitetin dhe kjo është çështje edukimi”, ka vijuar neurokirurgu, ndërsa shton se në situata të tilla nevojitet ndershmëri “dhe mbi të gjithë të kuptosh veten, a nuk po i tregoj të vërtetën pacientëve për hirin tim apo për hir të pacientit? Mësimi tjetër që kam nxjerrë nga 40 vite si mjek është shprehja e vjetër greke “gnōthi seauton” – Njihe veten!”
Në mjekësi, nëse standardet dhe pagat nuk janë të larta ka ryshfete. Të jesh i ndershëm në një shoqëri të pandershme, do te thotë të urrehesh nga të gjithë, thotë Marsh. Kolegu i tij shqiptar, Mentor Petrela, e cilëson Marsh-in si etik, realist, provokues. “Gjithmonë fanatik i ditarit të tij, dëshmitar i realizimit të jetës nëpërmjet vështirësive të kirurgjisë së trurit, ai është i mbushur me humanizëm falë edukimit, kryesisht të familjes. Megjithëse ateist, me këtë rrëfim mbetet brenda trinitetit të shenjtë.” Për Petrelën, në këtë libër Marsh shkon drejt asaj çka ka përcaktuar filozofi Friederich Nietszche, “Të shkruash duhet të jesh mjek dhe të njohësh filologjinë”.
Marsh ndalet të flasë për procesin e operacionit, ku në dyzet vitet e përvojës së tij profesional ka kryer me qindra ndërhyrje kirurgjikale. “Nuk është se urrej të operoj, por nëse do të bëj një hapje në tru, më duket stresuese. Më pëlqen të operuarit, prandaj u bëra kirurg, por jam i përgjegjshëm se truri nuk shërohet njësoj si kockat dhe muskujt”. Marsh vijon më tej, duke thënë se instrumenti më i vogël kirurgjikal është një aspirator 2 mm. “Kur e prek trurin duket si krem djathi, përdorim aspiratorin, për të hyrë në tru. Një milimetër kub, i korteksit cerebral, mban qindra mijëra qeliza nervore dhe miliarda sinapse. Sa herë e vendos aspiratorin në tru, po shkatërroj qindra lidhje dhe neurone”, ka thënë Marsh, duke shtuar se një kirurg i mirë ka parasysh ekuilibrin e vështirë mes dëmit që shkakton mungesa e ndërhyrjes dhe dëmit që shkakton vetë ndërhyrja, ku ky i dyti është gjithnjë më i vogël. “Disa kirurgë e trajtojnë trurin me më shumë respekt se të tjerët.”
“Duhet ta pranoj se nuk jam aspak i sigurt nëse do të guxoja t’i përdorja barnat e kutisë sime të vetëvrasjes kur – dhe mund të mos jetë e largët dita – të përballem me shenjat e hershme të demencës apo të ndonjë sëmundjeje të pashërueshme si tumori malinj i trurit me të cilët jam kaq i familjarizuar në punën time si neurokirurg.”, shkruan Marsh në librin e tij, duke krijuar një marrëdhënie të sinqertë e të hapur me lexuesit. Tema e shtjelluar në libër nuk është temë ekskluzive për rrethet mjekësore, por prek edhe interesimin e lexuesit të gjerë, për një temë aq të diskutuar jo vetëm nga mjekësia, por edhe teologjia, filozofia apo aktivistë të drejtave të njeriut e shumë të tjerë. “Do të ishte e turpshme të zgjohesha në reanimacion pas një përpjekjeje të dështuar për vetëvrasje apo duke më bërë lavazh të stomakut në urgjencë. Përpjekjet për vetëvrasje shihen shpesh, nga stafi i spitalit, me përbuzje e mospërfillje – dështim si në jetë dhe në vdekje dhe si mjete të fatkeqësisë vetjake”, vetë-ironizon neurokirurgu, ndërsa shpjegon se kur vdekja afrohet, ndjenja e vetvetes nis të shpërbëhet.
Më pëlqen të operuarit, prandaj u bëra kirurg, por jam i përgjegjshëm se truri nuk shërohet njësoj si kockat dhe muskujt” -Henri Marsh
Disa psikologë dhe filozofë, shkruan Marsh në parathënien e librit të tij, mendojnë se kjo ndjenjë e të qenit, si individë koherentë, të lirë për të bërë zgjedhje, nuk është veçse një faqe titulli në partiturën muzikore të pavetëdijes sonë, partiturë plot zëra të pakuptueshëm e shpesh të stonuar. Një pjesë e asaj që e mendojmë si të vërtetë është një lloj iluzioni, një përrallëz ngushëlluese me zana, e krijuar nga truri ynë për t’i dhënë kuptim stimujve të panumërt të brendshëm e të jashtëm si dhe impulseve e mekanizmave të pavetëdijes. Pavijonet e ngarkuar të spitaleve – ku ende një pjesë e mirë e jona do jetë e shtrënguar të vdesë – nuk janë vende të mira për t’i bërë këto biseda. Në shtratin e vdekjes, shumë prej nesh do të mbajmë ende një fije shprese në një qoshk të mendjes dhe vetëm në çastin e fundit do kthejmë kokën mënjanë dhe do japim shpirt…
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.