Gazeta Si - Kryeministri Edi Rama ka thënë se 4.646 metra katrorë pa leje në mes të Tiranës do t’i kalojnë shtetit me kontratë noteriale.
Lajmin, Rama e ka dhënë përmes një videomesazhi në Facebook për ndërtimet pa leje, duke shënuar aktin e parë të dorëzimit te shteti të ndërtimeve pa leje.
Shefi i qeverisë thotë se ka ardhur kapitulli i fundit i kësaj përpjekjeje të gjatë, teksa ka shtuar se me këtë qeveri, “nuk i blejnë dot”.
“Kush ka kujtesë e di që unë, luftën për ndërtimet pa leje dhe ndërtimin civilizues, e kam nisur bashkë me politikën”, tha Rama në mesazhin e tij, pa specifikuar se për cilën godinë bëhej fjalë.
Rama theksoi se “e kemi ulur 10-fish numrin e metrave katrorë pa leje, por ende nuk i kemi ndalur dot për fare. Sepse gjithsesi e kanë gjetur gjithnjë rrugën për ta blerë të drejtën që nuk e kanë, duke paguar inspektorë, ndonjë polic, e sigurisht duke marrë peng gjykatës e prokurorë. Tani kemi ardhur te kapitulli i fundit i kësaj përpjekjeje të gjatë dhe pasi kemi parë që drejtësia e shitur për lekët e metrave pa leje u ka hapur vazhdimisht një shteg shpëtimi, kemi marrë vendim qeverie dhe kemi mbyllur çdo shteg. Sepse nuk na blen dot askush. Jemi të vendosur ta çojmë deri në fund, pa u lodhur as nga pengesat e panumërta. Ky është vetëm akti i parë, që do të pasohet nga të tjerët deri në metrin e fundit katror”.
Megjithatë ai nuk ka lënë pa akuzuar as median e as opozitën që sipas tij nuk kanë lënë akuzë pa bërë nuk i pa këto kate pa leje në mes të Tiranës.
"Askush, as opozitat që nuk lënë akuzë pa bërë, as mediat që nuk lënë gjë pa thënë, as drejtësia jo e jo, që nuk lë avlli apo papafingo nëpër periferi pa ndëshkuar, nuk i pa, nuk i tha, nuk i dëgjoi, nuk i kërkoi katet dhe metrat e ndërtuara pa leje për qëllim fitimi deri dhe në mes të Tiranës”, tha ai.
Sipas tij, “të tërë, ose e kanë të ngjyer gishtin, kush më shumë e kush më pak, kush direkt e kush indirekt, në mjaltin e tullave e të betonit, ose i kanë sytë kaq të verbuara e veshët kaq tapë nga urrejtja që i mbush gojën me shpifje, me gënjeshtra, me akuza që janë shumë të fortë me të dobëtit, por shumë të dobët me të fortit”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.