Gazeta Si – Një viktimë dhe 4 të plagosur është bilanci tragjik i aksidenteve rrugore të regjistruara në orët e vona të së premtes në akse të ndryshme të vendit.
Një aksident me pasojë vdekjen e një gruaje ka ndodhur në aksin rrugor Fier-Patos në afërsi të fshatit Portëz.
Mësohet se këmbësorja ka ndërruar jetë në vend, ndërsa automjeti është larguar nga vendngjarja.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 23:30 dhe viktima dyshohet se ishte duke mbledhur kanaçe në anë të rrugës.

Viktima i përket komunitetit rom dhe pothuajse çdo mbrëmje shëtit rrugëve për të mbledhur kanaçe e me të ardhurat e tyre mbante familjen.
Ndërkohë, pak minuta pas kësaj ngjarjeje, një tjetër aksident i rëndë automobilistik do të ndodhte në aksin rrugor Lezhë-Laç në afërsi të kryqëzimit të Shënkollit.
Dy automjete janë përplasur “kokë më kokë” me njëri-tjetrin e për pasojë kanë mbetur të plagosur 4 persona, njëri prej të cilëve në gjendje të rëndë.
5 shoferë në pranga për alkool, 34 patenta të pezulluara vetëm në Tiranë
Ndërkohë policvia njoftoi se gjatë 24 orëve të fundit, si rezultat i minitorimit të qarkullimit rrugor nga mjetet inteligjente dhe radarët automatikë, janë pezulluar 34 leje drejtimi, si dhe janë arrestuar 5 drejtues mjetesh, për drejtim të mjetit nën efektin e alkoolit.
Policia Rrugore e Tiranës apelon për të gjithë drejtuesit e mjeteve që të respektojnë rregullat e qarkullimit, të respektojnë përparësinë e këmbësorëve në vijat e bardha, të mos kryejnë gara shpejtësie, të vendosin rripin e sigurimit , të mos përdorin celularin gjatë drejtimit të mjetit, të mos kryejnë parakalime të gabuara, si dhe të mos drejtojnë mjetin nën efektin e alkoolit apo në gjendje të dehur.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




