Nga Gazeta Si – Dy persona u arrestuan dhe 6 të tjerë po hetohen në gjendje të lirë pasi tregtonin mallra të kontrabanduara, në 5 dyqane në Tiranë dhe Durrës.
Shtetasit J. Xh., 52 vjeç dhe M. Q., 64 vjeç, të dy banues në Tiranë, u arrestuan pasi shisnin kontrabandë produkte të ndryshme, si çanta, veshje, syze dhe parfume në 5 dyqane të ndryshme në kryeqytet dhe në Durrës.
52-vjeçari administronte 5 dyqanet, ndërsa 64-vjeçari ishte ekonomisti i biznesit.
Ndërkohë policia thotë se po heton në gjendje të lirë edhe punonjësit e këtyre dyqaneve, D. H., 21 vjeçe, B. G., 22 vjeçe, K. D., 22 vjeçe dhe G. G., 23 vjeçe, të tria banuese në Tiranë, si dhe E. M., 44 vjeçe e A. K., 27 vjeçe, të dyja banuese në Durrës.
Gjatë kontrollit, në 5 dyqanet u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale çanta, veshje, syze dhe parfume, të dyshuara të kontrabanduara.
Operacioni policor i koduar “Shops”, u zhvillua nga Seksioni për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar të DVP Tiranë, në bashkëpunim me Drejtorinë për Hetimin e Krimit dhe Financiar në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




