Nga Gazeta Si – Një sasi e madhe nafte kontrabandë është sekuestruar në Portin e Durrësit gjatë një aksioni të koduar “Ring”. Katër persona kanë rënë në prangat e policisë, ndërsa 6 të tjerë janë proceduar në gjendje të lirë.
Gjithsej janë sekuestruar 2275 ton naftë që kishte ardhur me anije çisternë nga Libia në Portin e Durrësit.
Katër persona janë arrestuar, ndërsa të tjerë (bashkëpunëtorë) janë proceduar në gjendje të lirë.
Policia thotë se të arrestuarit janë Z. A., 54 vjeç (kapiteni i anijes), M. A., 25 vjeç, A. A., 43 vjeç, të tre banues në Libi dhe B. T., 25 vjeç, banues në Siri.
Ndërkohë ka filluar procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasit: A. B., 43 vjeç, A. A., 46 vjeç, A. N., 40 vjeç, A. E., 53 vjeç, A. H., 21 vjeç dhe A. K., 29 vjeç, të gjithë banues në Libi.
“Këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë kontrabanduar nga Libia në Shqipëri, me një anije çisternë, 2275 ton naftë, e dyshuar kontrabandë”, thuhet në njoftimin e policisë.
Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar anija çisternë, sasia e naftës dhe disa aparate celulare.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Kontranda më mallra për të cilat paguhet akcizë”, “Ruajtja apo depozitimi i mallrave kontrabandë” dhe “Kontrabanda e kapitenit, pilotit ose ekuipazhit”, të kryera në bashkëpunim.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




