Libra

Ndahet nga jeta një nga shkrimtarët më të mëdhenj të Spanjës, Javier Marias

Nga Gazeta Si – Romancieri spanjoll Javier Marías, autor i shumë romaneve dhe një shkrimtar i shpallur rregullisht si kandidat për çmimin Nobel për letërsinë – është ndarë nga jeta në moshën 70-vjeçare në shtëpinë e tij në Madrid.

Marías, i cili kishte qenë i sëmurë me pneumoni muajin e kaluar, vdiq të dielën, sipas botuesit të tij, Alfaguara.

“Me pikëllim të madh ju njoftojmë se autori dhe miku ynë i madh Javier Marías ka vdekur në Madrid këtë pasdite”, tha botuesi në një deklaratë të shkurtër.

Menjëherë vërshuan mesazhet e ngushëllimit për Marias, i cili gjithashtu ishte dhe një përkthyes dhe analist i njohur.

Duke shkruar në ‘El País’, miku dhe kolegu i tij shkrimtar Eduardo Mendoza tha se Marías kishte kapërcyer ndikimet e tij të hershme për të “gjetur një zë, një temë dhe një stil që ishin aq të dallueshme të tijat, saqë e kthyen atë në një fenomen të çuditshëm”. Ai shtoi: “Shkrimi i Javier Marías nuk i ngjan askujt tjetër. Është e lehtë të parodizosh, por e pamundur të imitosh”.

Kryeministri i Spanjës, Pedro Sánchez, e quajti Marías “një nga shkrimtarët më të mëdhenj të kohës sonë” dhe tha se e diela ishte “një ditë e trishtuar për letërsinë spanjolle”.

Gazetarja dhe shkrimtarja spanjolle, Rosa Montero, tha se ajo ishte “goditur” nga ky lajm, duke shtuar: “Për mua, ai ishte kandidati më i mirë për Nobelin në Spanjën e sotme”.

Pepa Bueno, kryeredaktori i El País, në të cilin Marías ishte një kontribuues i rregullt, tha: “Vdekja e Javier Marías është kaq e dhimbshme. Sot është ditë zie në letërsinë spanjolle. Ai la një boshllëk të madh në gazetë”.

Marías, i lindur në kryeqytetin spanjoll në vitin 1951, botoi romanin e tij debutues, “Dominions of the Wolf”, në moshën 20-vjeçare. Ai u pasua nga 15 të tjerë, mes tyre “All Souls”, i cili u frymëzua nga koha e tij duke dhënë mësim në Universitetin e Oksfordit. “A Heart So White” (Një zemër kaq e bardhë), një meditim misterioz mbi dashurinë, familjen dhe të kaluarën që është ndoshta libri i tij më i njohur.

Pavarësisht se ishte anëtar i Akademisë Mbretërore të Spanjës dhe një anëtar ndërkombëtar i Shoqërisë Mbretërore të Letërsisë në Mbretërinë e Bashkuar, Marías nuk u impresionua lehtë me disa çmime letrare.

Ai shkaktoi bujë në vitin 2012 kur hodhi poshtë çmimin kombëtar narrativ të Spanjës prej 20,000 € për romanin e tij “The Infatuations”. Edhe pse ai këmbënguli se refuzimi nuk ishte një nënçmim dhe ishte motivuar nga kundërshtimi i tij i përjetshëm ndaj mënyrës se si Spanja jep çmime letrare të mbështetura nga shteti, kjo nuk u pëlqeu organizatorëve.

“Gjatë gjithë jetës sime kam arritur të shmang institucionet shtetërore, pavarësisht se cila parti ka qenë në qeveri dhe kam refuzuar të gjitha të ardhurat nga portofoli publik”, tha ai. “Unë nuk dua të shihem si një autor që favorizohet nga ndonjë qeveri e veçantë”.

Marías gjithashtu pretendoi se e kishte kaluar të gjithë karrierën e tij duke improvizuar për mungesën e një projekti letrar.

“Por unë njoh disa tema të përsëritura: tradhtia, fshehtësia, pamundësia për të ditur gjërat, ose njerëzit, ose veten, me siguri”, tha ai një herë.

“Ka edhe bindje, martesë dhe dashuri. Por këto gjëra janë çështje e letërsisë, jo vetëm e librave të mi. Historia e letërsisë është ndoshta e njëjta pikë uji që bie mbi të njëjtin gur vetëm me gjuhë të ndryshme, sjellje të ndryshme, forma të ndryshme të përshtatshme për kohën tonë. Por mbetet e njëjta gjë, të njëjtat histori, e njëjta pikë mbi të njëjtin gur, që nga Homeri apo më parë”.

Në fillim të këtij viti, kur u pyet nga El País se çfarë e frymëzoi të shkruante, ai u përgjigj: “Unë shkruaj për atë që më duket veçanërisht serioze, e rrezikshme, e padrejtë ose budallallëk. Natyrisht, ndonjëherë e kuptoj gabim ose mund të shkoj shumë kundër rrymës”. /The Guardian/


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë