Menaxhim

Kriza energjitike e Europës mund të rifuqizojë populistët

Politikanët europianë që po rikthehen në zyrë pas pushimeve verore, po përballen me në letër në postën e tyre, kriza e kostove të jetesës që po shkakton kaos në shoqëri. Kur disa europianë po shijonin diellin e verës, të tjerë po dilnin në protesta, nga Spanja në Gjermani.

Fundjavën e kaluar, rreth 70.000 njerëz mbushën rrugët e Pragës për të demonstruar kundër qeverisë, duke kërkuar veprime konkrete kundër rritjes së kostove të energjisë, dhe duke bërë thirrje kundër BE-së dhe NATO-s. Europa po përballet me një inflacion në nivele rekord, shkak i kostove të energjisë që janë rritur që kur Rusia pushtoi Ukrainën.

Kriza ka frikësuar europianët për faturat që do t’i vijnë gjatë dimrit vetëm për ngrohjen e tyre. Madje disa kompani, nga prodhuesit e çelikut tek fabrikat e plehrave, e kanë pezulluar aktivitetin e tyre. Situata është bërë kaq serioze sa që Banka Qendrore Europiane njoftoi të enjten rritjen e saj më të madhe të bërë ndonjëherë të normave të interesit, dhe premtoi se ato do të rriten edhe më shumë, teksa banka po përpiqet të frenojë inflacionin, që shpesh cilësohet si një “taksë për të varfrit”.

Udhëheqësit e BE-së në mbarë kontinentin janë shumë të shqetësuar. “Kriza aktuale energjetike, po i bën nervozë të gjithë liderët politikë, pasi ata kanë frikë nga pasojat politike. Në shumë vende, kjo ka të bëjë me mbijetesën e qeverive të tyre. Rezistenca e Europës do të testohet në të gjitha vendet e BE-së“- tha një zyrtar i BE-së për POLITICO këtë javë, ndërsa ka nisur sezoni i ri politik në Bruksel.

Është një frikë, të cilën kryeministri italian në largim Mario Draghi e paralajmëroi që në samitin e G7 në qershor.

 “Ne duhet të shmangim gabimet e bëra pas vitit 2008. Kriza energjetike nuk duhet të prodhojë një rikthim të populizmit”- theksoi ai. Një diplomat nga një vend baltik, parashikoi se nëse udhëheqësit nuk do të mundin të frenojnë kostot e jetesës, Europa mund të përballet me një fuqizim të partive populiste.

“Kjo mund të jetë vala e tretë e populizmit e kohëve të fundit” – tha ai, duke përmendur si krizën financiare të vitit 2008 dhe atë të migracionit rreth vitit 2014. “Kjo krizë mund të jetë më e rënda dhe mund të sjellë pasoja të paparashikueshme. Po ashtu, ne besojmë se kjo është ajo që shpreson edhe Vladimir Putin”- theksoi ai.

Ajo që e shton më tej ankthin e udhëheqësve europianë, është skenari kur rritja e çmimeve mund të minojë mbështetjen e publikut për luftën në Ukrainë, duke i lënë liderët përballë një pyetje shumë të vështirë: A janë ata të përgatitur të rrezikojnë postin e tyre për të shpëtuar demokracinë ukrainase?

Hungaria ka nënshkruar tashmë një marrëveshje të re gazi me gjigantin rus të energjisë Gazprom, ndërsa Bullgaria po shqyrton një rikthim në blerjen e gazit rus, duke treguar kësisoj kufijtë e solidaritetit europian me Ukrainën.

“Ky dimër është rikthyer në një lloj ndeshje boksi me Moskën. I pari që bie në tapet e ka humbur ndeshjen. Zgjedhjet në Suedi këtë të dielë, do të jenë testi i parë i ‘temperaturës politike’ në Europë. Ndaj zyrtarët e BE-së po i ndjekin nga afër ato”- deklaroi një diplomat europiano-perëndimor.

Me kriminalitetin e shtuar dhe problemet e kostos së jetesës në qendër të fushatës zgjedhore, qeveria e qendrës së majtë e kryeministres Magdalena Andersson mund të jetë në telashe të mëdha. Dhe partia e ekstremit të djathtë, Demokratët e Suedisë, që ka rrënjë neo-naziste, ka një mundësi realiste për të formuar një qeveri të krahut të djathtë, e para e këtij lloji në këtë vend.

Por shqetësimi i vërtetë janë zgjedhjet parlamentare në Itali në fund të shtatorit. Partia e ekstremit të djathtë, Fratelli D’Italia (Vëllezërit e Italisë) të Giorgia Melonit kryeson në sondazhe, duke rritur pritshmëritë për një qeveri të krahut të djathtë në Romë.

Duke pasur parasysh madhësinë e ekonomisë së Italisë, e treta më e madhe e BE-së dhe statusin e saj si një anëtare themeluese e BE-së, pasojat e një kryeministre si Meloni do të ishin të rënda, edhe pse shumica e zyrtarëve nuk presin që ajo të sabotojë planin ekonomik të paraardhësit të saj, nga i cili Italia përfiton miliarda euro nga BE, si pjesë e fondit të përbashkët për rimëkëmbjen nga pandemia.

Por aleati i Melonit, Matteo Salvini, lideri i LEGA-s, partia tjetër e ekstremit të djathtë në një koalicion të mundshëm, ka treguar hapur qëndrime miqësore ndaj Rusisë. Këtë javë, ai bëri thirrje që BE-ja të rimendojë sanksionet e saj kundër Rusisë, duke nxitur frikën në Bruksel se masat e reja kundër Rusisë, do të bëhen më të vështira nëse pushtetin në Itali e merr dyshja Meloni-Salvini.

Por një valë e mundshme populiste, nuk kufizohet vetëm në disa vende. Çdo udhëheqës europian, gjendet nën presionin e votuesve për të kontrolluar rritjen e kostos të jetesës. Kjo është një nga arsyet pse Komisioni Euopian vendosi këtë javë të shkëputet nga precedenti i vendosur ndër dekada, dhe të realizojë një ndërhyrje radikale në tregjet e energjisë.

Presidentja e Komisionit Europian Ursula von der Leyen befasoi shumë zyrtarë në Bruksel të mërkurën, kur ajo detajoi publikisht një plan shumëpikësh për të frenuar rritjen e çmimeve të energjisë. Njoftimi erdhi përpara informimit të ambasadorët kryesorë të BE-së, dhe përpara fjalimit të Gjendjes së Bashkimit Europian që do të mbajë Von Der Leyen javën e ardhshme.

Dhe një nga arsyet kryesore pse nxitoi ta shpallte planin, ishte presioni në rritje nga liderët politikë.

Kryeministri belg Alexander de Croo e tha troç fundjavën e kaluar: “Nëse Komisioni Europian nuk ndërhyn, ne rrezikojmë të hyjmë një recesion të thellë, gjë që do të kishte pasoja të paparashikueshme. Në lojë është shumë më tepër se ekonomia. E gjitha kjo situatë ka të bëjë me sigurinë dhe stabilitetin në kontinentin Europian”.

Ndër propozimet e Von der Lejen përfshijnë një kufizim të çmimit për gazin rus, plani për të marrë fitimet e tepërta nga prodhuesit e energjisë (pra nga ata që përfitojnë nga çmimi i energjisë elektrike në BE), dhe një “kontribut solidariteti” nga kompanitë e karburanteve fosile me fitime rekord që do të taksohen me një taksë shtesë.

Edhe pse propozimi i Komisionit parashikon kompensimin e konsumatorëve dhe bizneseve të goditura rëndë, nëpërmjet taksës për prodhuesit e energjisë elektrike që e nuk përdorin gazin, mbetet e paqartë nëse kjo qasje do të mbulojë të gjitha kostot. Qeveria gjermane ka publikuar tashmë një paketë të madhe kompensimi prej 65 miliardë eurosh për konsumatorët dhe bizneset.

Edhe vendet e tjera të Eurozonës po hartojnë plane të ngjashme për të zbutur goditjen nga krizat, teksa po përgatitin buxhetet e tyre kombëtare, të cilat në fund kanë nevojë për miratimin e Brukselit. Por Komisioni është gjithashtu i vetëdijshëm për presionin politik që po ushtrohet mbi udhëheqësit e BE-së.

Ndërkohë, takimet e së premtes ka të ngjarë të jenë vetëm hapja e një beteje ekonomike shumë teknike dhe politike. Rezistenca tashmë po ndërtohet ndaj propozimit të Von der Leyen, me disa zyrtarë që ulin pritshmëritë për ndonjë përparim. Të tjerët janë më optimistë, duke shpresuar të paktën për një tregues të ndonjë marrëveshjeje politike në horizont.

Një propozim legjislativ ka shumë të ngjarë të paraqitet kur Von der Leyen të mbajë fjalimin e saj vjetor për gjendjen e Bashkimit Europian,  caktuar në kalendarin politik të BE-së. Dhe sapo tekstet legjislative të jenë në tryezë, shumë detaje kyçe do të fillojnë të vihen në fokus, duke hapur rrugën për një marrëveshje të mundshme.

Por me udhëheqësit politikë në të gjithë kontinentin që përballen me një elektorat gjithnjë e më të dëshpëruar, zyrtarët nuk mund të presin gjatë./Politico.eu


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë