Policia e Sarandës ka vënë në pranga dy shtetas, pasi akuzohen se kanë transportuar 30 emigrantë të paligjshëm.
Të arrestuarit Andon Pulaj, nga Mirdita dhe Alfred Dedaj, nga Shkodra i ndihmonin emigrantët për të kaluar kufirin kundrejt parave.
“Shërbimet e Policisë Kufitare në Qafë Botë, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit Sarandë, në vijim të punës për goditjen e aktivitetit kriminal të dhënies ndihmë shtetasve të huaj, për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt fitimit, në bazë të informacioneve policor, kanë organizuar dhe finalizuar me sukses operacionin policor ‘Thirty’, si rezultat i të cilit u arrestuan në flagrancë shtetasit A. P., 44 vjeç, banues në Mirditë dhe A. D., 44 vjeç, banues në Shkodër”, thuhet në njoftimin e policisë.
Sipas policisë, arrestimi i këtyre shtetasve u bë pasi u kapën në flagrancë në fshatin Xarrë, në vendin e quajtur “Kthesa e Bufit”, duke transportuar me një mjet tip kamionçinë, 30 emigrantë të paligjshëm, kundrejt fitimit.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Sarandë, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, kryer në bashkëpunim.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




