Lojëra me Dore

Donçiç legjendar, 47 pikë Francës dhe i dyti në historinë e Europianëve

Gazeta Si – Luka Donçiç shkruan historinë në ndeshjen me Francën, ku ishte protagonist absolut me 47 pikë të shënuara. Më mirë se fenomeni slloven ka bërë vetëm belgu Terrace (63 pikë) në edicionin e 1957-ës.

Donçiç gjate ndeshjes me Francen. Gazeta Si, 7 shtator 2022

Është Europiani i Janis, Jokiç, por edhe, madje mbi të gjithë, i Donçiç. Slloveni u është përgjigjur 41 pikëve të Antetokounmpo ndaj Ukrainës dhe 29 pikëve të Jokiç kundër Izraelit me një paraqitje që e fut në histori. Me 47 pikë, 7 ribaunde dhe 5 asiste, Donçiç gjunjëzoi Francën.

Gobert me shokë duhet t’i përulen talentit të Sllovenisë. Me 47 pikë ai bëhet shënuesi i dytë më i mirë në një ndeshje në historinë e Europianëve.

Vetëm belgu Edi Terrace me 63 pikë në 1957-ën e largët ka bërë më mirë. Sigurisht, nuk kishte ‘armën’ e trepikëshit, por ajo kompensohet nga niveli i kundërshtarit, sepse Shqipëria e atëhershme nuk krahasohet me Francën e sotme.

Sllovenia, me një Donçiç të tillë, synon suksesin, ashtu si në 2017-ën. Luka ‘u ndez’ papritur pas një nisjeje të ngadaltë. Ai shënoi 47 pikë, ku ‘qershia mbi tortë’ ishte një kosh i realizuar me një dorë.

Në fund të ndeshjes të gjithë përqafuan Donçiç, i cili mori edhe një ‘standing ovation’ nga arena e Këlnit. Sllovenia fitoi 88-82 dhe në 1/8-at do të përballen me një mes Belgjikës dhe Gjeorgjisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë