Nga Gazeta Si - David E. Kelley dhe Melissa James Gibson kanë zhvilluar, nga romani i Sarah Vaughan (Einaudi), një serial në 6 episode nga 45 minuta, që vjen i konceptuar dhe shkruar me mjeshtëri dhe me një fije sadizmi ndaj institucioneve angleze. “Anatomia e një skandali” (Netflix) është i denjë për precedentë të shquar dhe kur gjithçka duket e zgjidhur gjithçka fillon nga e para, si në kryeveprën e Billy Wilder, “Dëshmitar i Prokurorisë”. Referencat e shkëlqyera, të bollshme për të rinjtë e Oksfordit me liri të shfrenuar, moral relativ dhe përmbajtje të lartë alkooli kishin shënuar filmat rebelë të Anderson dhe Losey.
Këtu jemi në një familje të klasës së mesme londineze ku James Whitehouse, ministër i brendshëm konservator, mik i rinisë së kryeministrit, i martuar me Sophie Whitehouse (Sienna Miller) bën bujë në gazeta për një histori dashurie me asistenten e tij, Olivia Lyton (Nami Scott).
Seks i pastër, i thotë tradhtari gruas i shqetësuar për ekuilibrin e familjes. Një seks i ndodhur në hotel, por edhe në vende më pak të caktuara, si Dhoma dhe çështja përfundon në gjykatë, ku shfaqet avokati që mbron vajzën dhe bëhet pjesë e pandarë e historisë.
Olivia Lyton (Nami Scott) e akuzon James-in për dhunim seksual. Kurse, përfaqësuese ligjore e palës së dëmtuar dhe që e sajon akuzën kundër James-it është Kate Woodcroft, e cila kishte njohje me deputetin në fjalë që nga koha e studimeve, sepse kishte qenë shoqe ngushtë e studimeve dhe mbikëqyrëse e tezës së gruas së tij në Universitetin e Oksfordit. Por, ajo në këtë proces gjyqësor shfaqet me një identitet të konvertuar. Sepse, emri i vërtetë i saj është Holly Barry. Dhe ishte kjo e fundit që ishte dhunuar nga James Whitehouse në fund të studimeve, mirëpo që nuk e kishte denoncuar kurrë këtë dhunim, nga frika se do të përçmohej dhe nuk do të kuptohej. Prandaj gjatë gjithë kohës kishte jetuar me këtë traumë psikologjike, morale dhe shpirtërore.
Kjo edhe është arsyeja që ballafaqimi në këtë proces gjyqësor, gjatë gjithë kohës orvatet ndërmjet akuzave të tanishme dhe sekreteve që e ndjekin pas, Kate Woodcroft-in, si një fantazmë që nga vitet e studimeve. Kështu, James arrin ta fitojë procesion gjyqësor ndaj Olivia Lyton, por në fund kuptohen bëmat e vërteta të tij gjatë jetës libertine studentore, si dhe të kryeministrit aktual Tom Southern (Geoffrey Stretfeild). Ky i fundit ishte përgjegjës për vdekjen e një studenti tjetër, për shkak të konsumimit të tepruar të substancave narkotike. Po ashtu, shkaqet e vërteta të kësaj vdekjeje të dyshimtë kurrë nuk ishin hetuar.
Askund më shumë, se në këtë serial filmik, nuk vihet në sprove jeta e elitave super të pasura si dhe bindja dhe ndjeshmëria e tyre shoqërore dhe politike, se si janë mbi ligjin, për shkak të privilegjeve që i gëzojnë.
Po ashtu, kjo dramë në fund në mënyrë të përsosur tregon se si shpeshherë liderët politikë kushtëzohen nga njëri-tjetri për shkak të origjinës së krimit të përbashkët dhe sekreteve që i ndajnë në mes vete. Si janë të detyruar të mbrojnë njëri-tjetrin deri në fund. Ngase i pret ose fundosja ose shpëtimi i përbashkët. Rrugë tjetër në kësi situatash nuk ka.
Seriali “Anatomy of a Scandal” ia vlen që të shikohet të paktën për pasqyrimin dhe portretizimin që i bën labirinteve të “errëta të korridoreve të pushtetit”. /Il Corriere/
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.