Nga Gazeta Si - “Ky festival më sjell në Korçën e artin me një dashuri të madhe”, do të shprehej aktorja Tinka Kurti për KoKo Fest, festivalin mbarëkombëtar të Komedisë në Korçë që prej vitesh i dhuron të qeshura publikut vendës dhe vizitorëve duke u shndërruar tashmë në një traditë çdo fillim vjeshte.
Për artisten Yllka Mujo është “një festë që të ngazëllen! Është festival ku artistët ushqehen me art dhe dashuri”.
Që prej 3 shtatorit Festivali mbarëkombëtar i komedisë “KoKo Fest” bashkoi sërish artistët, në edicionin e tij të nëntë.
“Nga data 3 shtatorit e deri më 10 shtator, Korça është në një javë feste”, thotë për Gazetën “Si” Zamira Kita, drejtore e teatrit të Korçës dhe njëherësh organizatore e ngjarjes artistike.
Kita shprehet se janë shtatë shfaqje teatrore në konkurrim, si dhe shfaqja “Tregtari i Venedikut” nga teatri “Andon Zako Çajupi”, me regji nga Qëndrim Rijani që është përshëndetëse dhe do të jetë në skenë më datë 10 shtator.
Ishte teatri “Aleksandër Moisiu” që hapi siparin e këtij edicioni. Pasi u shfaq në Durrës, Elbasan, Fier dhe Berat, komedia “Të prezantoj Babain” udhëtoi edhe në Korçën e bukur në festivalin e komedisë.
Më pas, ishte teatri “Bekim Fehmiu” nga Prizreni, me shfaqjen “Provo dhe një herë Sam”.
Një tjetër komedi që ka qenë në disa skena teatrore “A flasim për burrat” iu bashkua kësaj feste.
Mbrëmjen e sotme, Korça do të mirëpresë shfaqjen “Pak Pakt”, një vepër e re bashkëkohore, një komedi e zezë që më parë shënoi premierën në skenën e Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”, në “ArTurbina”.
Duke kujtuar fillesat e këtij festivali, që në vitin 2014, edicionin e parë ku kanë konkurruar 12 trupa nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut, Kita thekson faktin se festivali nuk është ndërprerë asnjëherë.
“Ndonëse në vitet 2015-2016 festivali është zhvilluar edhe me teatrin në rikonstruksion. Gati në kantier pune në kemi bërë shfaqje që ishin një magji e vërtetë”, vijon Kita.
Pas Teatrit Eksperimental, në vijim do të jetë dhe teatri i Shkodrës me “Gjaja”, teatri i Elbasanit me shfaqjen “Jashtë bie borë”, ndërsa konkurrimin e mbyll teatri i Tetovës, më 9 shtator, me “Borgjezi fisnik”.
Ndërkohë, një natë më pas është shfaqja përshëndetëse e teatrit të Korçës mikpritëse.
‘KoKo Fest’ përpos shumë trupave konkurruese që kënaqin publikun e Korçës dhe më gjerë, ka edhe shumë artistë të ftuar.
“Këtë vit kemi 70 të ftuar në ‘KoKo Fest’. Por përveç gjithë pjesëmarrësve të trupave, këtë vit p.sh trupa e Tetovës vjen me 36 persona. Kjo tregon numrin e lartë të pjesëmarrësve”, thotë ndër të tjera Kita.
Festivalit nuk do t’i mungojnë as çmimet që ndahen nga një juri profesionistësh.
“Juria e këtij viti janë artistët si Yllka Mujo, Ndriçim Xhepa, Lirik Çelaj nga Kosova, Olta Daku dhe Luiza Xhuvani”, vijon Kita.
Në edicionin e tetë të festivalit të komedisë, çmimin e shfaqjes më të mirë e rrëmbeu “Ferma e kafshëve”, nën interpretimin e aktorëve të Teatrit Kombëtar, ndërsa Driada Dervishi fitoi çmimin “Regjia më e mirë” dhe “Aktori më i mirë” protagonist, u vlerësua artisti Gentian Zenelaj.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.