Vende dhe Udhetime

Në Karpen të Kavajës, fshati ku askush nuk kthehet më

Nga Gisela Troplini 57 minuta nga Tirana është koha që të duhet për arritur në Karpen, gjirin me ujë të pastër dhe rërë të pazaptuar, (ende), në zonën e Kavajës.

Rruga për t’u ngjitur në fshat dhe për të zbritur në det është rreth 20 minuta, por duket e pafundme. Është e ngushtë, e mbushur me gurë, e rrethuar nga bimë që ndonëse prishin punë, nuk i ka prerë njeri. Në të dyja anët e rrugës ka shtëpi me jo më pak se dy kate, të lyera me të gjitha ngjyrat, por me bojë të rënë. Shtëpi të reja, në të cilat nuk ka as të moshuar.

Unë e quajta rrugën më të trishtë ku kam kaluar. Në ato 20 minuta, hasa vetëm dy banorë, të moshuar sigurisht. Njëri me një karrocë me bar dhe tjetra me një kovë me perime në dorë. Në atë hapësirë të pafundme tokash bujqësore, nuk ishin shfrytëzuar as 1/3. Aty nuk kishte as dyqane. Të asnjë lloji. Kishte një tavolinë me një shportë me fiq, por pa njeri. Aty nuk kishte as valë celulari.

Quajta më të trishtë faktin që nuk mu desh fare të ngrija pyetjen “po pse nuk ka njerëz”?

Njerëzit kanë emigruar, për të ardhura më të mira, për të ardhme më të mirë, ndoshta dhe për ato shtëpitë ku nuk banojnë. Dhe këtë ta thotë kamarieri i kafenesë poshtë në plazh, sepse të vetmit njerëz që takuam rrugës nuk reaguan as ndaj përshëndetjeve tona. Ata vetëm ndiqnin makinën deri sa zhdukej nga shikimi i tyre, sikur shpresonin se mos ishte njëri nga fëmijët që jetonte diku tjetër.

Kamarieri që punonte në një nga dy lokalet buzë detit, vinte nga fshati i parë i zonës (sipas pozicionit gjeografik), ku kishte dhe më shumë jetë, fshati Bardhor.

“Nuk vijnë më as për pushime tani. Këta që janë nëpër çadra nuk është asnjëri vendali”, -thotë i riu, që nga pamja nuk dukej më shumë se 15 vjeç.

Pas qëndrimit në plazhin me shumë pak njerëz, duhet të ribënim dhe njëherë rrugën, atë më të trishtën.

Pluhuri në grilat e mbyllura dhe rrjetat e merimangave rreth llampave të pandezura asnjëherë, duken përtej portës prej hekuri të zverdhur nga dielli dhe të rrethuar me arushë ose objekte të ngjashme besëtytnie.

Dhe shikoj nga fillimi, shtëpitë dy, tre, katër kate, nga një për çdo djalë të ikur në emigrim. Ata kanë ndërtuar shtëpi të re, që me siguri është më e mirë se ajo e vjetra, por ku nuk patën kohën të krijojnë dhe kujtojnë asgjë. Mund të imagjinoj se aty brenda ka aromë boje që ende nuk është konsumuar nga banimi. Ajo që të pengon të ndjesh aromën e shtëpisë si strehë dhe jo asaj si ndërtesë.

Vetëm në shtator të vitit të shkuar, nga Shqipëria u larguan 2.800 qytetarë, si refugjatë dhe azilkërkues në vendet e Europës. Për të gjithë vitin 2021, janë larguar nga Shqipëria mbi 11 mijë individë. Në periudhën 2008-2020 janë larguar rreth 700 mijë.

Pjesa dërrmuese janë të rinj dhe ndoshta ata nga fshati Karpen, përbëjnë një përqindje shume të vogël, por tregojnë qartë panoramën. Aty është një Shqipëri pa jetë. Ajo Shqipëria që ndan nga Tirana, edhe pse vetëm 1 orë larg saj.

Në zbritje, në Bardhor, që ketë herë i bie fshati i fundit, pamë njerëz, dukeshin shumë nëse e krahasoje më atë më lart. Banorë që po ktheheshin nga puna e tyre në toka, fëmijë që vraponin dhe makina që lëviznin. Kishte një market të vogël dhe u rikthyen valët e celularit. Aty shiste një djalë i ri, rreth moshës 25-vjeç, që mbante në krahë vajzën e tij ndërsa fliste. Ai ishte vëllai i tretë, më i vogli dhe kishte ardhur nga Italia vetëm të rregullonte shtëpinë, se përndryshe nuk do të vinte. Nga të tre vëllezërit, vetëm ky duhet të bënte rregullime në shtëpinë tre katëshe përballë, nga një kat për djalë, e të rikthehej përsëri në emigrim.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë