Ka ndodhur

Vritet në Shkodër Ismet Çekorja, djali i tij në kërkim për atentatin e dështuar ndaj Alban Bruçit 4 ditë më parë

Gazeta Si – Ismet Çekorja, babai i Bajram Çekores i shpallur në kërkim për atentatin e mbetur në tentativë ndaj Alban Bruçit gati një javë më parë, u ekzekutua pasditen e të premtes (2 shtator 2022) në lagjen “Guerrile”, në Shkodër.

Më datë 29 Gusht, Ismet Çekorja nga Shkodra doli para mediave, duke kërkuar drejtësi për djalin e tij që është shpallur në kërkim për një atentat të dështuar.

Djali i viktimës u shpall në kërkim, pasi dyshohet si njëri prej atentatorëve të mbrëmjes se 25 gushtit ndaj Alban Bruçajt. Ndaj këtij të fundit u qëllua 19 herë, por shpëtoi pa marrë asnjë plagë.

Sot, më 2 shtator, Ismet Çekorja u ekzekutua me armë zjarri në lagjen “Kiras” të Shkodrës pranë ish-shkollës veterinare në rrethana të paqarta.

Vetëm disa ditë para se të vritej, Ismet Çekorja mbronte të birin dhe deklaronte se ai është i pafajshëm, gjë për të cilën thoshte se kishte prova.

“Ditën e krimit im bir ndodhej në një mjedis të monitoruar nga kamerat e sigurisë, është i pafajshëm”, kështu u shpreh Ismet Çekorja, babai i Bajram Çekores, ky i fundit i dyshuar si autor i atentatit ndaj shtetasit Alban Bruçi.

Disa ditë më parë i doli në mbrojtje djalit, çfarë deklaroi viktima?

Ismet Çekorja u shpreh gjatë intervistës se prej tri vitesh policia e Shkodrës i është vënë në shpinë djalit dhe familjes së tij pasi për çdo ngjarje kriminale banesa e tyre rrethohet nga policia. 58 vjeçari mohoi se djali i tij është i përfshirë edhe në ngjarjet e tjera kriminale për të cilat ka qenë i dyshuar.

“Policia ka ardhur në banesën tonë pas vrasjes së Arjan Ferracakut një kohë që viktima ishte nipi im po ashtu kur u vra edhe Fatos Ferracaku prapë më kanë thirrur mua dhe djalin. Pastaj janë vrarë vëllezërit Bilali dhe sërish policia në banesën time një kohë që kemi kaq shumë vite që jemi fqinj. U plagos Admir Bajri, prapë në banesën time një kohë që familja jonë e ka pasur një lloj njohje me familjen e tyre”.

Ai vijoi se, “po ashtu u qëllua shefi i policisë bashkiake të Malësisë së Madhe sërish në banesën time kur në fakt autorët dolën krejt persona të tjerë. Rasti i fundit është me Alban Bruçin, djalin e Lad Bruçit të cilin unë e kam shumë mik dhe nuk ka asnjë shans që djali im të qëllojë djalin e tij kur ne kemi shumë miqësi aq më tepër që Bajrami, djali im është i monitoruar me kamera”.

Sipas tij, “këto sulme ndaj familjes tonë i bëjnë disa banditë, hajdutë biçikletash dhe banditë të veshur me pushtet. Se cila është arsyeja ne nuk e dimë. Ajo që kërkojmë është drejtësia. Djali im është i pafajshëm dhe nuk ka marrë pjesë në asnjë prej ngjarjeve kriminale për të cilat është i dyshuar. Janë të gjithë inskenime dhe tani ai duhet të qëndrojë rrugash dhe nuk mundet as të punojë as asgjë. Kërkojmë drejtësi dhe të zbardhen ngjarjet, është shprehur Ismet Çekorja.” -u shpreh ai.

Atentati ndaj Alban Bruçit, i përfshirë djali i viktimës?

Në 25 gusht, rreth orës 21:45, Alban Bruçi po lëvizte me makinën e tij tip ‘Audi A3’, me targa ‘AB 199 BA, kur u qëllua disa herë me pistoletë.

Fatmirësisht plumbat nuk e kanë kapën, duke i shpëtuar për mrekulli kësaj tentative për ta ekzekutuar. Si autor të kësaj ngjarjeje, janë shpallur në kërkim, Bajram Çekorja, (djali i viktimës, Ismet Çekorja) dhe Tornato Fusha, djali i biznesmenit dhe ish-presidentit të Vllaznisë Valter Fushës.

Nga sa është raportuar, ka qenë sherri i ndodhur 2 vite më parë mes Fushës dhe Bruçi shkak i tentativës së atentatit të 25 gushti, teksa nuk dihet roli që ka pasur Çekorja.

Bajram Çekorja ka me precendentë penalë. I arrestuar në 2016 për tenativë vrasje si dhe i arrestuar në 2019 te ‘Komuna e Parisit’, si pjesë e grupit “Lici”.

Pista kryesore e hetimeve për ekzekutimin e sotëm të Ismet Çekorjas lidhet pikërisht me këtë ngjarje, ku është përfshirë djali i tij.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë