Të solidarizuar me Prishtinën, dhjetëra qytetarë në Tiranë kanë dalë në protestë për 11-vjeçaren, e cila përjetoi tmerrin nga 5 abuzuesit seksual. Mes tyre janë edhe personazh publikë.
Me pankartat ‘Unë bërtita Joooooo’ qytetarë dhe personazhe VIP, janë mbledhur të gjitha në shenjë revolte të torturës në një shoqëri patriarkale.



“Më vjen shumë shumë keq që në këto 6 vite jam përdhunuar virtualisht dhe jam etiketuar si vajzë jo e mirë sepse promovoj edukatën seksuale. Dhe është paradoksale, sesi vëmendja kthehet te unë tashmë pasi një abuzim seksual prej 7 orësh të një vajze të mitur”, është shprehur Zhaklin Lekatari, gazetare dhe aktiviste e mbrojtjes së vajzave dhe grave në Shqipëri.
Me thirrjen ‘Nuk përdhunon veshja, përdhunon mendja’, aktivistja, një ndër zërat e shumtë që foli në protestë, u bëri thirrje jo vetëm abuzuesve të cilët, sot ndodhen pas hekurave, por mentalitetit në vetvete i cili duhet të edukohet!



“Sa prej dhunuesve dënohen. Kemi rastin e Kavajës, ku dhunuesit dolën nga burgu. Kemi rastin e Rrëshenit që nuk e dimë çfarë ka ndodhur me dhunuesit”, tha aktivistja Xheni Karaj.
“Stop heshtjes. Nuk janë të sëmurë, janë përdhunues. Unë jam fëmijë! Pizhamet e mia nuk janë seksi”, janë disa nga pankartat që mbanin protestuesit në Tiranë si mesazh për ngjarjen e rëndë në Prishtinë, ku u abuzua seksualisht me 11-vjeçaren nga 5 persona.
Një mesazh i fortë vjen edhe nga një mjek psikiatër. Ai tha se në Shqipëri djemtë janë të rritur keq.
“Jam Neli Dojmi, jam bashkëshort, djalë, babai i dy djemve dhe e një vajze, jam mjek psikiatër. Është një çështje dashurie ndaj njerëzimit, kafshëve, planetit. Ata njerëz që sulmojnë gratë, përdhunojnë gratë, po ti shohim më thellë, do gjejmë këto mungesa. Në këtë specifikë, e kam shprehur dhe në media, le të fokusohemi këtu. Djemtë rriten keq fatkeqësisht me atë epopenë e një princi që do të bëhet mbret në të ardhmen, që ka të drejtë që bëjë ça të dojë. Këto janë farat e asaj gjëje që duhet të sjellë ndryshimin, protestat. Ky ndryshim në këtë realitet social, shpesh herë të bën pesimist. Kur dëgjojmë raste të tilla, ndihem keq”, tha ai.
Pasditen e sotme, në protestë kanë marrë pjesë edhe emra të tjerë publikë si Fifi, Beatrix Ramosaj, Monika Lubonja dhe Anxhela Peristeri.
Ekrem Rexhepi, Gent Rexhepi, Xhabir Salihu, Gentrit Jashari dhe Shkëlqim Kameri, janë 5 djemtë të cilët kanë abuzuar seksualisht me 11-vjeçaren.
Pas daljes në dritë të rastit të rëndë, ka dhënë dorëheqjen drejtori i Drejtorisë për Trajtimin e të Burgosurve dhe të Miturve pranë Shërbimit Korrektues të Kosovës (SHKK), Ali Gashi. Një ditë më parë, pas këtij rasti ka dhënë dorëheqje edhe drejtori i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




