Gazeta Si – “Not today”, – thoshte Arya Stark në një frazë të njohur të ‘Game of Thrones’. “Jo sot” – tha edhe Serena Uillimas në ndeshjen e parë të Us Open kundër malazezes Danka Koviniç. Nuk ishte ndeshja e fundit në karrierën e amerikanes, lamtumira është shtyrë.
Fituesja e 23 Slam-eve, 6 nga të cilët në Nju Jork, kaloi në turin e dytë, pasi mundi 6-3, 6-3 Koviniç. Uilliams ka shtyrë të paktën disa ditë lamtumirën nga tenisi i luajtur.
Tani Serena do të ndeshet me Anet Kontaveit, kokë serie numër 2 në tabelë. Është një kundërshtare shumë më impenjative se Koviniç, por edhe ajo vjen nga një periudhë jo e mirë. Estonezja niset favorite ndaj Uilliams, por fitorja e saj nuk është aq e sigurt se mendohej më parë.
‘Artur Ashe’ shpërtheu gjatë hyrjes së Serenës në fushë. Uilliams ka qenë mbretëreshë e tenisit për 20 vjet, duke arritur rezultate të jashtëzakonshme: 73 trofe, 857 fitore, 336 në slam-e. Më shumë se 94 milionë euro të fituara nga shpërblimet.
Por të gjitha këto nuk mjaftojnë për të shpjeguar se çfarë do të thotë Serena për këtë sport.
Para syve të bashkëshortit dhe vajzës së saj Olimpia, Serena hyri në fushë me një fustan mbretëreshe, plot shkëlqim dhe me yje. Gjithçka ishte gati për lamtumirën, në tribunë edhe yjet e sportit, nga Majk Tajson te Ana Uintour. Por jo, Serena fitoi dhe e shtyu lamtumirën.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.