Policia e Sarandës ka arrestuar një 45-vjeçar i dyshuar si autor i 19 vjedhjeve të parave dhe sendeve në vlerë.
Preja e ‘xhepistit serial’ ishin kryesisht turistët dhe pushuesit e tjerë gjatë sezonit veror. Në cilësinë e provave materiale, policia ka sekuestruar para në euro dhe lek, si dhe sende të tjera me vlerë, që dyshohet se autori i ka grabitur nga turistët, që kanë vizituar Sarandën këtë verë.
Autori është identifikuar si 45-vjeçari me inicialet B.S., banues në Rrogozhinë. Ky shtetas dyshohet se gjatë sezonit turistik veror të vitit 2021 dhe të këtij viti ka kryer 19 vjedhje, në ambiente të ndryshme, në qytetin e Sarandës.
45-vjeçari ka vjedhur në dhoma hotelesh dhe në banesa të ndryshme, në të cilat qëndronin kryesisht pushues. Ai ka grabitur bizhuteri të ndryshme, aparate celulare, si dhe rreth 500 000 lekë, 11 000 euro dhe 1 000 dollarë.
Gjatë kontrollit fizik ndaj shtetasit B. S., shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, sende që dyshohet se do të përdoreshin për kryerjen e vjedhjeve të tjera, si dhe shuma parash në euro dhe lekë, të dyshuara të vjedhura.
Autori rezulton i dënuar më parë në Greqi dhe Itali po me akuzën e vjedhjes.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




