Ka ndodhur

Foto/ Shkodër, 25-vjeçari i shpëton atentatit me armë. Para 6 vjetësh u akuzua për vrasje

Gazeta Si – Një 25-vjeçar, Alban Bruçi, i ka shpëtuar një atentati me armë zjarri mbrëmjen e të enjtes në Shkodër, teksa ka qenë duke lëvizur me automjetin e tij.

Në drejtim të makinës tip ‘Audi A3’, me targa ‘AB 199 BA, me të cilën udhtonte i riu, është qëlluar me breshëri kallashnikovi.

Fatmirësisht plumbat nuk kanë arritur që ta kapin Bruçin, i cili menjëherë ka njoftuar policinë në telefon.

Ngjarja ka ndodhur në lagjen “Partizani” në një orar ku ka pasur lëvizje këmbësorësh dhe qarkullim makinash.

Sipas raportimeve të para, makina është qëlluar nga një tjetër mjet në lëvizje nga persona ende të paidentifikuar. Në vendngjarje janë gjetur gëzhoja të shumta, ndërsa policia ndodhet në vendin e ngjarjes.

Emri i Alban Bruçit, nuk është i panjohur për policinë, pasi në vitin 2016 është arrestuar dhe akuzuar se në lagjen “Vojo Kushi” pas teatrit “Migjeni” ka qëlluar me armë në drejtim të shtetasit me iniciale A.J.

Asokohe, 19 vjeç, Bruçi u akuzua për vrasje me dashje të mbetur në tentativë. Forca të policisë, të cilat ndodhen në vendgjarje, kanë nisur hetimet për zbardhjen e saj.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë