Ka ndodhur

Rikthehet droga në Lazarat, droni zbulon kanabisin në proces tharjeje

Gazeta Si – Pas një periudhe disa vjeçare “pushimi”, në Lazarat rikthehet kultivimi i lëndëve narkotike.

Një 34-vjeçar nga Lazarati i Gjirokastrës është arrestuar të kanabisit pas një kontrolli nga policia nga toka dhe ajri, duke përdorur edhe dronë.

Në pranga është vënë A.S., 34 vjeç. Policia bën me dije se si rezultat i kontrollit të imtësishëm të territorit, në kuadër të operacionit policor të koduar “Gjokaj”, në fshatin Lazarat, Gjirokastër, në oborrin e banesës së shtetasit A.S., kanë gjetur të kultivuara dhe në proces tharjeje, bimë të dyshuara narkotike cannabis sativa, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Që prej operacionit policor të vitit 2014 kundër kultivimit të kanabisit, Lazarati ishte përmenduar thuajse aspak në kronikat e lajmeve sa i takon kultivimit të kanabisit.

Rreth 65 tonë kanabis sativa, disa kilogramë heroinë, dhe  armë të kalibrave të ndryshëm u sekuestruan gjatë aksionit dy javor ku u arrestuan disa dhjetëra persona të dyshuar dhe u kontrolluan mbi 803 banesa e ambiente të tjera.

Në vitin 2014 policia deklaroi shfarosjen e parcelave me kanabis në Lazarat pas një aksioni disa javor ku u arrestuan 45 persona.

Statistikat zyrtare treguan se dy vjet më pas në 2016, kanabisi u kultivua në gjithë vendin ndërkohë që si pasojë e sasive të lëndës së prodhuar, viti 2018 u vlerësua me sasinë me të madhe të drogës së kapur në Itali me origjinë nga Shqipëria që nga viti 1985.

Sipas një raporti të fundit të antimafias italiane, Shqipëria mbetet kanali kryesor i transportit të marijuanës përmes detit Adriatik drejt Italisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë