“Burg pa afat” dha sot gjykata e Sarandës, si masë sigurie për 18-vjeçarin Xhoi Tarja dhe 24-vjeçarin Xhanelo Tarja.
“Arrest me burg” kërkoi organi i akuzës dhe prokurorja Alba Dhima kërkesë e pranuar nga gjyqtari Alban Veçani.
Dy vëllezërit Tarja janë ndaluar dy ditë më parë për ngjarjen e ndodhur për shkak të një parkimi, ku gjeti vdekjen i goditur me thikë 41-vjeçari Klodian Bakiaj nga Tepelena.
Mbi të dy vëllezërit Tarja rëndon akuza “Vrasje me dashje në bashkëpunim”, 76 e 25 Kodi Penal.
Sot në masën e sigurisë të rinjtë me lot në sy kanë kërkuar ndjesë për çfarë ka ndodhur, ndërsa sipas avokatit Edison Ademi autori i ngjarjes ka qenë 18-vjeçari Xhoi Tarja.
Pas goditjeve me grushta që viktima i ka dhënë 18-vjeçarit, ky u fundit u largua për momentin për t’u rikthyer përsëri ku grindja vazhdonte me vëllanë tjetër Xhanelo Tarja.
Xhoi ka goditur me thikë me një goditje mbi 41-vjeçarin Klodian Bakiaj, goditje fatale kjo që i mori atij jetën.
Ndërsa për Genci Ahmeti, administrator i hotelit ku punonin dy të rinjtë u mor si masë “Arrest me burg” me afat 1 muaj me akuzën “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës” parashikuar nga neni 301 Kodi Penal.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




