Lojëra me Dore

Sinsinati humbet tenistet big, jashtë Shviatek, Kontaveit dhe Jabeur

Gazeta Si – Tani po që ka rënë alarmi për Iga Shviatek. Tenistja polake, numri 1 në botë, është eliminuar në 1/8-at e WTA 1000 të Sinsinati. Ajo është mundur 6-3, 6-4 nga amerikanja Medison Kejs, numri 24 i renditjes.

Kejs nuk është një kundërshtare e lehtë, sidomos në Ohajo, ku në 2019-ën fitoi në finale ndaj Kuznetsovas, por Shviatek nuk është dukur në asnjë moment në nivelin e saj në çimenton amerikane.

Pas Roland Garros, ku fitoi me një serie impresionuese fitoresh (37 radhazi), polakja duket sikur e ka ulur pak ritmin. Kjo ndodh me një sportiste 21-vjeçare, edhe me një fenomenale si Iga.

Dita e fundit e Sinsinatit në tabelën e femrave ishte vërtet një goditje e rëndë për kokat e serive. Është eliminuar edhe numri 2, Anet Kontaveit, e cila u mund nga kinezja Shuai Zhang në 3 sete: 2-6, 6-4 dhe 6-4.

Estonezja duket se nuk e ka marrë veten pas Covid-it. Ajo e ka pranuar vetë këtë fakt dhe duhet të reagojë menjëherë, në të kundërt rënia në renditje është e pashmangshme.

Petra Kvitova. Gazeta Si, 19 gusht 2022

Jashtë turneut të Sinsinatit dhe tunizianja Ons Jabeur, favoritja e 5-të. Ajo është mundur 6-1, 4-6, 6-0 nga ish-numri 2, çekja Petra Kvitova.
Vazhdon rrugëtimi i kazakes Elena Ribakina, e cila mundi 6-2, 6-4 amerikanen Alison Riske. Kampionja e Championships në Londër ka treguar se çfarë është në gjendje të bëjë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë