Lojëra me Dore

Goditje e rëndë për Uilliams, eliminohet që në turin e parë nga Radukanu

Gazeta Si – Në ndeshjen e katërt sezonale, Serena Uilliams është thyer me lehtësi nga 19-vjeçarja Radukanu, kampione e Us Open të fundit. Avancojnë edhe Halep, Kejs dhe Kontaveit.

Ema Radukanu, 19 vjeç. Gazeta Si, 17 gusht 2022

Pritej me shumë interes në Sinsinati sfida mes Ema Radukanu dhe Serena Uilliams. Dikush e quajti ‘nxënësja kundër mësueses’, por është ende shumë herët për këtë. Fitoi britanikja 19-vjeçare, siç ishte parashikuar.

Numri 10 në botë dhe në tabelë e dominoi ndeshjen nga fillimi në fund. Ajo e mbylli 6-4, 6-0. Me gjithë respektin për Serenën, që mbush 41 vjeç në shtator dhe që do të tërhiqet nga tenisi pas US Open, lamtumira e saj është shumë më e trishtë se duhej. Një kampione si ajo nuk i meriton këto goditje.

Ishte vetëm ndeshja e 4-t sezonale për Uilliams. Fituesja e 23 Slam-eve fitoi ndeshjen e parë pas më shumë se një viti javën e kaluar, në ‘National Bank Open’ të Torontos. Ajo mundi Nuria Parrizas Diaz në 2 sete dhe më pas u thye nga kampionja olimpike Belinda Bençiç.

Tani, ajo që duhej të ishte paserela finale në Nju Jorkun e saj. Por paraqitja e Serenës ishte larg pritshmërive dhe vjen ky eliminim që në turin e parë.

Në ndeshjet e tjera, Hadad ka çeduar menjëherë. Pas finales së humbur në Toronto, brazilianja është mundur nga Ostapenko 6-4, 6-4. Halep, fituese në Toronto, eliminoi me vështirësi Potapovën, 6-4, 3-6 dhe 6-3. Janë kualifikuar edhe Medison Kejs dhe Kontaveit, kurse Sakari është eliminuar.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë