Studiuesi Min Joo Lee kuptoi se ka diçka ndryshe te gratë e reja perëndimore që vizitonin Seulin.
Ndryshe nga turistet aziatike, të cilat donin të shikonin çdo vend dhe të shëtisnin në çdo dyqan gjatë qëndrimit të tyre në kryeqytetin e Koresë së Jugut, perëndimorët, kryesisht në fillim të të 20-ave dukeshin të painteresuara për vendet turistike.
Në vend të shëtitjeve, në shumicën e ditëve ato qëndronin brenda bujtinës së tyre, duke fjetur ose duke parë shfaqje televizive koreane dhe dilnin jashtë vetëm pas errësirës.
Ato i kishin tërhequr vëmendjen Lee e cila studion sjelljet gjinore dhe racore të Koresë. Ajo ishte në Seoul për të zbuluar se çfarë ndikimi kishte në turizëm profili ndërkombëtar në rritje i kulturës pop koreane.
Pasi vizitoi tetë bujtina dhe intervistoi 123 gra, kryesisht nga Amerika e Veriut dhe Europa, Lee arriti në përfundimin se shumë ishin tërhequr nga vendi nga ajo që Lee e quan “efekti Netflix”.
Shfaqjet e suksesshme televizive koreane si “Crash Landing on You” dhe “Goblin”, kishin ndikim më shumë se fytyrat e bukura të aktorëve Hyun Bin dhe Gong Yoo.
Ato po ofronin një vështrim në një botë ku burrat ishin romantikë dhe të duruar, një antitezë me atë që femrat e mendojnë për meshkujt.
Gratë e intervistuara nga Lee ishin të magjepsura me burrat koreanë, të cilët u portretizuan në TV si persona që u interesonin emocionet e femrave dhe ishin të gatshëm të tregonin dhe anën e tyre të brishtë.

Femrat perëndimore i konsideronin burrat koreanë të kulturuar dhe romantikë, ndërsa ankoheshin se burrat në vendet e tyre shpesh neglizhonin paraqitjet e tyre dhe nuk ishin kurrë romantikë.
Grace Thornton, një 25-vjeçare nga Mbretëria e Bashkuar, udhëtoi për në Seul në vitin 2021 pasi shikoi dramën koreane “Crash Landing on You” në Netflix.
Ajo u befasua nga fakti se si burrat në serial nuk talleshin dhe nuk i ngacmonin femrat në rrugë, siç ndodh në vendin e saj.
Në sytë e saj, burrat koreanë janë “zotërinj, të sjellshëm, simpatikë, romantikë, si në përralla”. Ajo tha se burrat koreanë gjithashtu vishen mirë dhe kujdesen për veten e tyre.
“Burrat anglezë janë gjysmë të dehur, gjithmonë me një birrë në dorë”, tha ajo.
Dhe udhëtimi nuk ka të bëjë plotësisht me burrat.
“Në Angli, unë jam shumë e zakonshme që dukem njësoj si gjithë të tjerët. Në Kore, unë jam e ndryshme dhe e huaj. Njerëzit më kushtojnë vëmendje. U ndjeva e veçantë”.
‘Çifte ndërkombëtare’ dhe të dashurit profesionistë
Popullariteti i shfaqjeve televizive koreane me audiencën globale ka përkuar me një rritje të vazhdueshme të numrit të grave turiste në Korenë e Jugut.
Në vitin 2005, 2.3 milion femra vizituan vendin, krahasuar me 2.9 milion burra, sipas të dhënave të qeverisë. Deri në vitin 2019, viti i fundit para se koronavirusi të mbyllte gjithë botën, gati 10 milionë femra vizituan vendin, krahasuar me vetëm 6.7 milionë meshkuj.
Në të njëjtën kohë, ka pasur një shpërthim në përmbajtjen e mediave sociale të përqendruara në çifte ku duken burra koreanë me gra nga jashtë vendit.
Në YouTube, hashtag-u “#Gukjecouple” (“çifti #ndërkombëtar”) është kthyer në një zhanër që mbulon 2500 kanale dhe 34000 video, më të njohurat prej të cilave shfaqin një burrë korean me një partnere amerikane ose europiane. Ndonjëherë këto video shfaqin çifte që bëjnë shaka me njëri-tjetrin, duke luajtur mbi dallimet kulturore, dhe ndonjëherë ato thjesht portretizojnë çiftet duke bërë jetën e tyre të përditshme.
Ndër personat që bëjnë këto video është Heo Jin-woo, një YouTuber korean në Seul, i cili dikur drejtonte një kanal kushtuar videove në të cilat ai pretendon se është i dashuri i shikuesit.
Videot e shfaqnin atë duke vepruar sikur të ishte në një videotelefonatë me një të dashur, duke pyetur shikuesit se si shkoi dita e tyre ose duke i ftuar ata për darkë në restorantin e ri italian në qytet.
Sipas Heo, kanali grumbulloi 14,000 ndjekës, kryesisht femra të huaja në të 20-at që ishin të interesuara për kulturën koreane, por ai e mbylli pasi takoi të dashurën e tij Harriet, e cila është nga Britania e Madhe.
Në vend të kësaj, dyshja kanë krijuar një kanal të “çiftit ndërkombëtar” të titulluar “Jin dhe Hattie”.
Kryesisht përbëhet nga video në të cilat ata “tallin” njëri-tjetrin bazuar në keqkuptimet dhe dallimet në kulturat e tyre.
Një video, e titulluar “Making my Korean jealous”, paraqet Harriet të veshur me fustane të shkurtër para Heos, i cili i kërkon asaj të vishet më modeste.
“Mos harro të vendosësh unazën para se të dalësh nga shtëpia”, i thotë ai me shaka.
Komentet në video, kryesisht nga fanset femra anglishtfolëse, vlerësojnë se sa i respektueshëm është Heo me gruan e tij.
Që nga fillimi në shkurt 2020, kanali ka fituar 70,000 abonentë çdo muaj, sipas shërbimit të analizës Socialblade, dhe tani ka 1.7 milion abonentë. Edhe pse çifti thotë se kanali nuk ishte menduar kurrë të ishte një biznes, kanalet e tyre në platforma të ndryshme kanë më shumë se 3.5 milionë abonentë së bashku.

Hugh Gwon, një konsulent i specializuar në menaxhimin e kanaleve në YouTube, është një nga krijuesit origjinalë të përmbajtjes së “çiftit ndërkombëtar”.
Ai tha se krijuesit e kanaleve për çifte që kanë më shumë se një milion abonentë mund të fitojnë nga 23,000 deri në 38,000 dollarë për çdo video të sponsorizuar.
Por vlera e shkon përtej fitimeve. Ka të bëjë gjithashtu me ndihmën për çiftet që të përshtaten me dallimet kulturore.
Gwon dhe gruaja e tij australiane Nichola drejtojnë një blog të quajtur “Burri im Korean” që diskuton martesën ndërkulturore dhe pasqyron se si po ndryshojnë qëndrimet ndaj marrëdhënieve të tilla.
Nichola thotë se imazhi i burrave koreanë është transformuar që kur ajo u takua me burrin e saj 10 vjet më parë në Sidnei.
Në atë kohë, ajo u mësua të dëgjonte komente paragjykuese, të tilla si bashkëmoshatarët që thoshin se burri i saj ishte i bukur “për të qenë aziatik”.
Kur ajo kërkoi në Google “burrë korean” pas fejesës së tyre, shumica e rezultateve ishin histori horror të grave emigrante të Azisë Juglindore të martuara me burra koreanë abuzues. Sot, kërkimi sjell fotografi të të famshmëve koreanë dhe blogut të saj, së bashku me gra të tjera që e pyesin se si mund të gjejë një burrë korean.
Ajo thotë se kanalet më të mira të “çiftit ndërkombëtar” promovojnë mirëkuptimin kulturor, por paralajmëron se disa po shesin vetëm pamje dhe fantazi.
Ajo thotë se realiteti është ndryshe dhe çdo femër që dëshiron të martohet me një korean duhet ta dijë se do të ketë shumë dallime kulturore me të cilat duhet të përshtaten, të tilla si të jetuarit në një shoqëri të njohur për orë të gjata pune dhe norma gjinore patriarkale.
“Në fillim ju do të shkoni në lumin Han në piknik, gjithçka është e mrekullueshme dhe ju ndiheni sikur jeni në një dramë K, por më pas cili është realiteti i të pasurit një familje në Kore?”, tha ajo.
“Një kënaqësi e përkohshme”
Fatkeqësisht, disa gra pas mbërritjes së tyre zbulojnë se burrat me të cilët ndeshen nuk janë aq të përsosur sa ata të portretizuar në ekranet e tyre.
Mina, një studente 20-vjeçare nga Maroku, tha se shfaqjet televizive K-pop dhe koreane ndikuan në vendimin e saj për të ardhur në qytetin jugor të Busanit në vitin 2021.
Burrat që ajo pa në TV u përshkruan si “burra të respektueshëm, të bukur, të pasur, të cilët janë mbrojtës ndaj jush”, tha ajo.
Por gjatë natës së saj jashtë, ajo u përqafua në një bar pa dëshirën e saj dhe mori ngacmime nga më të ndryshmet në rrugë.
Ajo ndjeu se disa burra koreanë prireshin të besonin se gratë e huaja janë më të hapura për seks të rastësishëm sesa gratë vendase.
“Ne jemi kënaqësi të përkohshme për to”, tha ajo.
Që atëherë ajo ka humbur “besimin” e saj në serialet koreane dhe nuk dëshiron më të takohet me burra koreanë.
Quandra Moore, një mësuese angleze 27-vjeçare shkoi në Seul në vitin 2017 dhe kërkoi një partner përmes aplikacioneve për takime dhe në klube nate. Por edhe ajo ishte e zhgënjyer.
Ajo u ndesh me qëndrime raciste, e refuzuar nga një që i tha “të kthehej në vendin e tyre dhe zbuloi se shumë meshkuj dukeshin të interesuar vetëm për seks me “të huaja”.
Në përvojën e saj, burrat koreanë i trajtonin ndryshe femrat e huaja. “Ata kërkojnë nga femrat e huaja atë që femrat koreane nuk do e toleronin”, tha ajo.
Është një pikë që Lee, studiuesja, i bëri jehonë, duke thënë se disa burra mendonin se mund t’i trajtonin keq gratë e huaja pa u ndëshkuar, sepse, si të huaja, ato ishin të kufizuara në rrethe më të vogla shoqërore.
Disa gra që shkuan në shtëpi të zhgënjyera i thanë Lee se mendonin se ishte faji i tyre që nuk kishin gjetur burrin e tyre ideal dhe do të ktheheshin dhe do të përpiqeshin më shumë herën tjetër.
“Ato e shohin qartë se jo të gjithë meshkujt koreanë janë të përsosur, por thjesht kanë nevojë për një alternativë ndaj tregut zhgënjyes të takimeve në vendet e tyre”, tha ajo.
“Ato nuk mund ta heqin dorë nga kjo sepse shpresojnë që marrëdhëniet ideale ekzistojnë diku në botë”, tha ajo.
Burimi: CNN. Përshtati: Gazeta “Si”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




