Ka ndodhur

Asgjësohen rreth 5.000 bimë kanabis të kultivuara mes maleve dhe pyjeve

Gazeta Si – Policia e Shtetit ka asgjësuar rreth 5 mijë bimë të dyshuara narkotike kanabis (4.945), të kultivuara në zona të thella malore dhe të pyllëzuara

Në kontrollin masiv të territorit janë përfshirë 1560 forca policore të Drejtorive Vendore të Policisë në qarqe, të Policisë Kufitare dhe të reparteve të FNSH Tiranë, Fier dhe Shkodër.

Gjithashtu janë përdorur 32 dronë, për të kontrolluar territorin, nga ajri.

Gjatë kontrolleve, shërbimet policore janë përballur me terrene të vështira malore, prandaj është dashur ndërhyrja e punonjësve të FNSH-së, të cilët kanë zbritur me litarë, për të asgjësuar bimët narkotike.

Në të gjithë vendin janë konstatuar raste të kultivimit të bimëve narkotike në parcela të vogla, që varionin me 25 deri në 90 bimë.

Konkretisht në qarkun Shkodër janë asgjësuar 3290 bimë narkotike, në qarkun Lezhë 1010 bimë, në qarkun Kukës 316 bimë, në Malësinë e Krujës 225 bimë, në qarkun Gjirokastër 73 bimë dhe në qarkun Dibër 31 bimë, të dyshuara narkotike kanabis.

Bimët narkotike janë asgjësuar me anë të djegies, përveç një sasie të vogël bimësh që është sekuestruar në cilësinë e provës materiale.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë