Politike

Shqipëria depoziton në KiE rezolutën kundër raportit të Dick Marty-t

Shqipëria ka depozituar në Këshillin e Europës rezolutën e miratuar nga Kuvendi kundër rraportit të Dick Marty-t, që flet për krime lufte të kryera nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës gjatë luftës çlirimtare.

Akuzat e hedhura në raportin e ish-senatorit zviceran nuk janë provuar asnjëherë, pavarësisht se një sërë hetimesh ndër vite janë ndërmarrë në Shqipëri dhe Kosovë. Duke u bazuar te këto hetime, socialistët propozuan një rezolutë në Kuvendin e Shqipërisë, kundër gjetjeve të këtij raporti.

Rezoluta u votua më 21 korrik me 125 vota pro dhe asnjë kundër. Përmes saj, Shqipëria synon nisjen e një procesi në Këshillin e Europës, që do të çojë në fund në pavlefshmërinë e këtyre akuzave, që në 2011 janë miratuar në Asamblenë Parlamentare të KiE-së, edhe me votën e një pjese të anëtarëve shqiptarë të kësaj Asambleje.

Nëse rezoluta do të kalojë të gjitha hallkat proceduriale e vendimmarrëse brenda KiE-së, atëherë në fund do të kërkohet miratimi i një raporti të ri, përmes të cilit do të rrëzoheshin si të pabazuara dhe të rreme pretendimet e raportit të Dick Marty-t për krime lufte nga UÇK, ku mes pretendimeve është edhe ai për trafik organesh.

Këshillit të Europës i kërkohet që të distancohet nga akuzat e pa provuara nga hetimet ndërkombëtare 11 vite pas hartimit të raportit, sepse asnjë nga pretendimet e ngritura prej tij nuk është vërtetuar.

“Konstatojmë se pas më shumë se dhjetë vitesh hetime të thelluara nga Task Forca Hetimore Speciale e BE dhe pasardhësja e saj, Zyra e Prokurorit të Specializuar, pretendimet e ngritura në Raportin e Dick Marty (7 janar 2011), asokohe anëtar dhe raportues i Komitetit për Çështje Ligjore dhe të Drejtat e Njeriut në APKiE, ‘për vrasje të personave me qëllim të nxjerrjes dhe shitjes së organeve të tyre dhe trafikim të paligjshëm të organeve njerëzore në Shqipëri dhe/apo në Kosovë’, të përfshira në Rezolutën e APKiE, mbeten të paargumentuara, të paprovuara dhe të pabazuara në prova dhe fakte e, për rrjedhojë, duhet të konsiderohen si të tilla nga të gjitha institucionet kombëtare e ndërkombëtare”, thuhet në rezolutë.

Përmes kësaj nisme, Shqipëria synon që të ‘zhvlerësojë’ Gjykatën Speciale të Kosovës me bazë në Hagë. Kjo gjykatë u ngrit me kërkesën e ndërkombëtarëve dhe këmbënguljen e Serbisë pikërisht duke u bazuar te raporti i Dick Marty-t.

Aktualisht në këtë gjykatë po hetohen për krime luftë një sërë ish-udhëheqësish të UÇK-së, përfshirë këtu ish-Kryeministrin e ish-Presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryetarërt e Kuvendit, Jakup Krasniqi dhe Kadri Vesli e të tjerë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë