Ka ndodhur

Situata e zjarreve / 34 vatra në 24 orë, 9 janë ende aktive. Mbi 1000 forca në terren

Gazeta Si – Qendra Kombëtare Operacionale e Emergjencave Civile në vend, tha se gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar 34 vatra zjarri në të gjithë vendin.

Në të gjithë vendin, kanë mbetur aktive 9 vatra zjarri kryesisht në zonën e veriut të vendit.

Në operacion për shuarjen e vatrave, janë angazhuar 1004 forca Operacionale, të Shërbimit të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimi, Forca të Armatosura, forca bashkiake, forca policore, punonjës të Administratës së Zonave të Mbrojtura, shërbimi pyjor, forca vullnetare.

Po ashtu, janë angazhuar 70 mjete zjarrfikëse dhe helikopteri Cougar i FA-ve, i cili ka operuar në Skuraj, Bashkia Kurbin dhe në fshatin Dushkarak, Bashkia Selenicë.

Autoritetet bëjnë me dije se janë shuar vatrat në fshatin Pulaj dhe në fshatin Bërdicë e Madhe, bashkia Shkodër; në fshatin Panaja, Bashkia Vlorë, në fshatin Lezhan, bashkia Selenicë; në fshatin Kusarth, bashkia Elbasan; në fshatin Lubinjë, bashkia Gramsh; në fshatin Çepan, bashkia Skrapar; në fshatin Plashnik i Vogël, bashkia Berat; në fshatin Gegë, bashkia Kuçovë; në fshatin Gjysylkanë, bashkia Tiranë; në fshatrat Seman dhe Mbrostar, bashkia Fier; në fshatin Dhëmblan, bashkia Tepelenë; në fshatin Levan, bashkia Memaliaj; në fshatin Dushk, bashkia Lushnjë; në fshatrat Zdrajsh dhe Kostenjë, bashkia Librazhd;

Aktualisht janë aktive vatrat në:

1.Në njësinë administrative Postribë, në fshatrat Prruemos, Vilzë dhe Omaraj. Që në orët e para të mëngjesit, janë angazhuar forcat e Pushtetit vendor, të mbështetur nga 60 Forca të Armatosura për vënien nën kontroll të zjarrit.

2.Në fshatin Mali i Jushit, të bashkisë Vau Dejës, vijon aktive vatra në sipërfaqe shkurre dhe ferra. Janë të angazhuar shërbimi zjarrfikës dhe vullnetarë.

3.Në fshatin Lam i Madh, bashkia Mat, vijon puna për izolimin dhe shuarjen e zjarrit nga forcat e pushtetit vendor dhe Forcat e Armatosura. Gjatë natës kanë qëndruar në gatishmëri tre mjete zjarrfikëse në mbrojtje të fshatit Lam i madh, 2 të FA dhe 1 e Bashkisë Mat. Sot janë angazhuar në mbështetje të forcave të bashkisë 30 Forca të Armatosura.

4.Ditën e djeshme në vendin e quajtur “Liqeni i Zi German”, bashkia Mat, është aktivizuar një vatër zjarri në orët e pasdites. Për shuarjen e tij në ditën e sotme janë angazhuar forcat në nivel vendor dhe 20 Forca të Armatosura.

5.Në fshatin Bershi, bashkia Klos, ka rënë zjarr në një sipërfaqe pyjore. Në vendngjarje ditën e sotme janë angazhuar forcat e pushtetit vendor për vënien nën kontroll të vatrave.

6.Në fshatin Shetaj, bashkia Durrës, e cila po mbahet në monitorim nga MZSH Durrës.

7.Në fshatin Mal Bardhë, bashkia Kurbin, për të cilin ditën e djeshme janë angazhuar forcat e pushtetit vendor, të mbështetur nga 50 Forca të Armatosura, si dhe është operuar nga ajri me Helikopter Cougar. Është arritur mbajtja jashtë rrezikut e banesave të fshatit.  Vijon operacioni me mbështetjen e Forcave të Armatosura.

8.Në fshatin Torovicë të bashkisë Lezhë, është aktivizuar një vatër zjarri në një sipërfaqe me shkurre dhe kullotë. Janë angazhuar forcat e pushtetit vendor.

9.Në zonën e mbrojtur Pylli i Ballollit, fshati Plashnik i Madh, bashkia Poliçan, është aktivizuar një vatër zjarri. Janë angazhuar forcat e pushtetit vendor të bashkisë Polican, të mbështetur nga 40 forca të armatosura.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë