Gazeta Si – Tjetër trajner për Ema Radukanu. Për sezonin në çimenton amerikane ajo ka zgjedhur rusin Dmitri Tursunov. Dhe menjëherë kombësia e tij ka bërë që bashkëpunimi të bëhet çështje politike ende pa nisur mirë.
Bashkëpunimi do të vazhdojë, nëse eksperienca në turneun e Uashingtonit do të rezlutojë e suksesshme. Radukanu, numri 10 në botë, fituese e ‘Us Open 2021’, në prill shkarkoi pas vetëm 5 muajsh trajnerin Torben Beltz.
Trajneri gjerman ishte i treti në pak muaj që u gjend në të njëjtën situatë. Pas ‘Uimbëlldon 2021’, Enddrju Riçardson mori vendin e Najxhëll Sirs, por nuk mjaftoi që të shoqëronte 19-vjeçaren britanike deri në triumfin në Flushing Meadows.
Në nëntor të vitit të kaluar, pas largimit të Riçardson, Tursunov deklaroi në një intervistë se të punosh me një tenist që pushon trajnerin kaq lehtë, krijon dyshime.
Tursunov hoqi dorë nga stërvitja e Kontaveit pas shpërthimit të luftës në Ukrainë, zyrtarisht për shkak të vështirësive me udhëtimet. Zgjedhja e trajnerit rus, ish-numri 20 në botë dhe drejtues teknik i Elena Vesnina, Arina Sabalenka dhe Anet Kontaveit, u bë çështje politike në Britaninë e Madhe.
Parlamentari laburist, Kris Brajant, i ka kërkuar indirekt tenistes Radukanu të ndryshojë mendje. “Kremlini do ta shfrytëzojë këtë situatë për propagandë, si një indicie se Britania e Madhe nuk është dhe aq e shqetësuar për luftën në Ukrainë.
Është mëkat që Ema të avzhdojë me këtë ide, do t’i kërkoja të mendohej mirë dhe ta dëntonte luftën barbare të Putinit”, – u shpreh Brajant.
Julian Najt, kryetar i komisionit parlamentar të kulturës, medias dhe sportit, ka kërkuar nga Federata Britanike e tenisit që të ndërhyjë në mbështetje të Radukanu. ”Të shohësh një trajner rus të stërvitë numrin 1 të tenisit në Britani të krijon shqetësim.
Shpresoj që fedarata të tregojë minimumin e lidershipit dhe të këshillojë Emën se cila është zgjedhja më e mirë”, – tha ai.
Radukanu ka vuajtur shpesh nga dëmtimet. Këtë sezon ka një bilanc me 9 fitore dhe 12 humbje. Dy muajt e fundit nuk ka mundur të fitojë dy ndeshje radhazi.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.