Njerez

Braktisja e të moshuarve: 200 kërkesa çdo vit për azilet. S’ka kapacitete, duhen ekipe të lëvizshme për shërbime në shtëpi

Gazeta Si- Ajo është 74-vjeç, e pamartuar dhe invalide. Shadia jeton në banesat sociale në Shkozë, në një hyrje garsoniere të dhënë nga Bashkia e Tiranës.

Por vitet e fundit, shëndeti i të moshuarës është rënduar shumë.

Ajo nuk del më nga shtëpia dhe për të kujdeset një grua, që familjarët e Shadies e paguajnë për shërbimin.

Asnjë prej të afërmve më të afërt të Shadijes nuk ndodhen pranë saj, kur ajo ka nevojë.

“Kush të më vijë? Vëllai im është 80-vjeç, sëmurë dhe për të kujdeset e shoqja.

Një tjetër vëlla më ka vdekur, por ata që më shohin më shpesh janë nipërit e mbesat jashtë shtetit. Sa herë vijnë me pushime, më sjellin para dhe ushqime. Mjaftohem dhe me kaq, sepse pensioni që marr s’më mjafton as për medikamentet”, thotë e moshuara.

Por avancimi i sëmundjes së saj po detyron të afërmit ta zhvendosin Shadien në Shtëpinë e Pleqve në Tiranë.

“Të paktën aty ka shërbim 24-orë. Ne jemi në punë, kemi familjet tona. Ajo sa vjen dhe i shtohen problemet, ka nevojë për përkujdesje gjatë gjithë ditës”, justifikohen ata.

I kontaktuar nga Gazetasi.al ish-drejtuesi i Shërbimit Social Shtetëror Gëzim Tushi, thotë se kërkesat për azile në 6 qendrat publike në vend sa vijnë dhe shtohen.

Por kapacitetet e azileve janë shumë të pakta.

“Çdo vit janë afro 150-200 kërkesa për akomodime në shtëpitë e të Moshuarve në vend. Mendoj se shifrat sa vijnë dhe do të rriten nisur nga ndryshimet që po pëson bërthama e familjes”, thotë për Gazetasi.al”, sociologu Gëzim Tushi.

Sipas tij, sot ka shumë të moshuar që ndonëse kanë pensione të mira dhe shtëpi ku të jetojnë, nuk kanë fëmijët pranë.

Tushi thotë se plaga e emigracionit dhe ndryshimet nga familja tradicionale në atë moderne, ku fëmijët largohen duke lënë vetëm të moshuarit, do të rritë edhe më shumë armatën e të moshuarve të braktisur që kërkojnë ndihmë urgjente.

“Sot konstatohen raste kur fëmijët i vizitojnë prindërit gjithnjë e më rrallë dhe përfundojnë duke ndërprerë lidhjen. Realitete që kohët e fundit po ndodhin gjithnjë e më shpesh dhe që në shumë raste shkaktojnë vuajtje të mëdha.

Ndonjëherë largimi është i justifikuar, por në raste të tjera lindin faktorë që janë të vështirë për t’u shpjeguar dhe kuptuar. Kur dikush bëhet prind, supozohet se do të marrë dashurinë e fëmijëve të tij deri në fund të ekzistencës së tij”, thotë sociologu Tushi.

Sipas tij, jo të gjithë të moshuarit kanë mundësi të akomodohen në shtëpitë apo rezidencat.

“Shtëpitë e pleqve kanë 350 vende kapacitete gjithsej në të gjithë vendin, ndërsa kërkesat janë gjithnjë e në rritje.

Tashmë edhe institucionet private po ofrojnë shërbime por kostoja e tyre është më e lartë se në publik”, thotë profesor Gëzim Tushi.

Nga azilet, tek ekipet mobile në shtëpi

Për Tushin, numri i lartë i emigracionit por edhe migrimit, ka shtuar numrin e të moshuarve të braktisur nga fëmijët ndaj zgjidhja është politika të reja sociale, që sipas tij domethënë ndërhyrje me shërbime komunitare.

“Sipas standardit europian, në çdo 100 mijë banorë nevojitet një qendër komunitare për të moshuarit, ku ata të ushqehen, të marrin kujdes shëndetësor. Ose të krijohen ekipe mobile të pajisur me mjekë, psikologë për të ofruar shërbim shëndetësor në shtëpi. Duhet të kuptojmë se zgjedhja për të shkuar në Azil apo për të qëndruar në shtëpi, i takon vetëm të moshuarit”, thotë Tushi.

Pandemia e Covid-19 nxori më në pah fenomenin e braktisjes së të moshuarve, jo vetëm nga familjarët por dhe nga shteti.

Shumë prej tyre humbën jetën si pasojë e mosdhënies së shërbimit shëndetësor në kohën e duhur.

Ajo që ekspertët theksojnë është se, nëse nuk ndërhyhet sot, nevojat për azil do të shtohen edhe më shumë duke rrezikuar që mosha e tretë të mbetet e vetme, pa kujdes shëndetësor dhe shtetëror.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë