Ka ndodhur

Sherr mes të rinjve në Elbasan, 17-vjeçari mbahet peng për disa minuta

Gazeta Si – Policia e Elbasanit ka vënë në pranga 4 persona, të cilët mbrëmjen e të mërkurës pas një konflikti në Elbasan morën peng për disa minuta një të mitur.

Mësohet se janë arrestuar shtetasit: D. B., 20 vjeç, F. G., 19 vjeç, B. Q. 22 vjeç dhe E. G., 20 vjeç, banues në Elbasan.

Këta shtetas, pas një konflikti fizik për motive të dobëta, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë mbajtur me forcë në automjet, për disa minuta, një 17-vjeçar të përfshirë në konflikt.

Mbrëmjen e djeshme, rreth orës 22:20, salla operative e DVP Elbasan ka marrë njoftim për një konflikt mes disa adoleshentëve, në afërsi të pallatit të sportit.

Sipas njoftimit disa nga personat e përfshirë në konflikt kishin marrë në automjet, pa dëshirën e tij, një person tjetër të përshirë në konflikt.

Menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Policisë kanë shkuar në vendngjarje dhe sot kanë arrestuar autorët e dyshuar.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë