Gazeta Si – Edhe ‘Nole’ bashkohet me Federer, Nadal dhe Mërrei, duke bërë një katërshe të frikshme në turneun londinez këtë edicion. Mund të jetë ky një sinjal për lamtumirën e Federer?
Nadal, Gjokoviç, Federer dhe Mërrei. Të gjithë bashkë. Pas ceremonisë për 100-vjetorin e ‘Centre Court’ të Uimbëlldonit, 4 big-ët e tenisit do të bashkohen në ‘Laver Cup’ me raketën në dorë për të luajtur në të njëjtën skuadër, ‘Team Europe’.
Mungonte vetëm ‘Nole’ për të kompletuar veprën, sot edhe ai ka dhënë njoftimin: “Është i vetmi kompeticion, ku mund të luash në një ambient skuadre me djem, kundër të cilëve garon.
Mund të bashkohem me Rafën, Roxherin dhe Endin, tre nga rivalët e mi më të mëdhenj të të gjitha kohërave. Do të jetë një moment vërtet historik për sportin tonë”, – ka thënë serbi.
Eventi është në program nga 23 deri më 25 shtator në ‘O2 Arena’ të Londrës, selia e ‘ATP Finals’, para transferimit në Torino. Edicioni i 2022-shit është i pari, ku 4 emrat më të mëdhenj të tenisit të meshkujve do të luajnë bashkë, për kënaqësinë e kapitenit Bjorn Borg.
“Nuk e kisha imagjinuar kurrë se do t’i kisha këto 4 ikona të sportit së bashku. E di që ata, ashtu si unë, e vlerësojnë domethënien e këtij momenti dhe do të jenë në lartësinë e duhur. Me Rafa, Roxher, Endi dhe Novak në skuadër kemi mundësi të mëdha”, – tha Bjorg.
Ka pritshmëri të mëdha për ‘Laver Cup’, mbi të gjitha sespe është rasti për të riparë në fushë Federer. Zvicerani qëndron larg fushave prej më shumë se 12 viti, nga humbja në Uimbëlldon në 2021-shin kundër Hubi Hurkacz.
Ndoshta prania e të gjithë të mëdhenjve të epokës së fundit mund të jetë një sinjal për lamtumirën e Federer…. Në Londër do të jenë tri ditë gala.
‘Team Europe’ ka grumbulluar më të mirët, janë edhe dy vende bosh. Mungojnë 3 lojtarë te ‘Team World’, me kapiten Xhon MekEnro. Të pranishëm janë Auger-Aliasime, Fritz dhe Shvartzman.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.