Gazeta Si – Televizori te kanalet dedikuar tenisit, një buzëqeshje sarkastike dhe një një fjali rebelimi. “Çfarë është ky? Ah, Uimbëlldoni. Duhej të luaja, por më përjashtuan”. Qesh për të mos qarë Andrej Rublev, duke komentuar imazhet para syve të tij në pushimin e drekës.
Për përjashtimin e tenistëve rusë dhe bjellorusë, 26-vjeçari i ka shprehur qartë idetë e tij në një intervistë për blogerin Vitja Kravçenko në kanalin e tij në YouTube, duke zbuluar disa prapaskena.

“Tenisi është jeta ime, i kam dedikuar gjithçka dhe nuk më lejuan të bëj punën time. Kemi propozuar zgjidhje që mund të na ndihmonin edhe në anën diplomatike. Për shembull, të luanim në lojën çift në krah të një tenisti ukrainas.
Personalisht, do doja të jepja një mesazh pozitiv nga fusha, por përgjigja ishte gjithmonë e njëjtë: qeveria ruse do t’i përdorë rezultatet për propagandë. Nuk e kuptoja pse na e thoshin”, – ka thënë Rublev.
Ai është shumë i acaruar. Pas konfliktit mes Rusisë dhe Ukrainës, ai është ekspozuar publikisht, duke shkruar në një nga telekamerat e Dubai Tennis Championship: “Jo luftë, ju lutem”. Një turne që Rublev e fitoi në fund.

“Mund ta kisha ndryshuar kombësinë për të luajtur në Uimbëlldon. Do të ishte një zgjedhje e pranueshme për ta”, – vazhdon më tej Rublev. Ai nuk e përjashton edhe sot mundësinë për të ndryshuar kombësinë, siç ka menduar edhe kolegia Daria Kasatkina.
“Të gjithë lojtarët punojnë fort që të paraqiten në maksimumin e formës në 4 turnetë Slam. Nëse nuk na pranojnë të gjithë, një mundësi për të vazhduar karrierën është ndryshimi i kombësisë. Do doja të luaja në Olimpiadë”, thekson në fund Rublev.
Tenisti rus është fitues i së artës olimpike 2020 në kategorinë çift dhe kampion vitin e kaluar i ‘Davis Cup’. Ky është një tjetër kompeticion, që nuk do të ketë tenistë nga Rusia dhe Bjellorusia në 2022-shin.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



