Ka ndodhur

Shkrumbohet makina në aksin Delvinë-Kardhiq, shpëton familja me 4 anëtarë

Gazeta Si – Një familje prej 4 anëtarësh ka përjetuar tmerr, teksa makina me të cilën udhëtonin ka marrë flakë në ecje në aksin Delvinë-Kardhiq.

Ata ishin nisur me pushime nga Tirana drejt Sarandës, por duket se mjeti nuk ka fumksionuar për shkak të një defekti teknik.

Vetëm 300 metra në të dalë të tunelit të rrugës, makina e tyre është përfshirë fillimisht nga tymi dhe më pas nga flakët.

Ata kanë arritur të dalin në kohë edhe me ndihmën e kushërinjve të tyre që udhëtonin me një tjetër mjet.

Ekipet zjarrfikëse që mbërritën për të shuar zjarrin, ia kanë dalë vetëm të neutralizojnë flakët, ndërsa makina është djegur plotësisht.

Drejtuesi i mjetit, Sabah Shera 43 vjeç, ishte duke udhëtuar nga Tirana drejt Sarandës me bashkëshorten dhe dy fëmijët, 8 dhe 11 vjeç.

Bashkëshortja e 43-vjeçarit tha se jetuan momente tmerri dhe se ishin të lehtësuar që kishin shpëtuar jetën.

Qarkullimi u bllokua për rreth 30 minuta, ndërsa është hapur një hetim. Autoritetet dyshojnë se aksidenti ka lidhje me gjendjen teknike të mjetit.

Kryefamiljari e kishte në pronësi mjetin prej 7 muajsh dhe pohoi për hetuesit se nuk kishte pasur probleme më parë.

Zjarri dyshohet  të jetë aktivizuar aksidentalisht si pasojë e një defekti teknik, ku ka vetëm dëme materiale.

Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e plotë të ngjarjes.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë