Ka ndodhur

Gjendet e djegur në Shëngjin gomonia që dyshohet se transportonte kanabis

Gazeta Si – Një gomone e paidentifikuar që lëvizte në kufirin detar mes Shqipërisë dhe Greqisë është gjetur e djegur në Godull të Kurbinit pranë Shëngjinit mëngjesin e të mërkurës.

Policia thotë se mjeti lundrues, i cili dyshohet se transportonte drogë, u gjet i shkrumbuar në zonën e hidrovorit.

Ai është pikasur fillimisht dje nga Qendra Ndër-Institucionale Operacionale Detare. Në ndjekje është vënë policia kufitare e Vlorës, Guardia di Financa dhe një helikopter i saj.

Për këtë është njoftuar edhe Mali i zi dhe Greqia. Patrulla policie u ngritën të martën edhe në bregdetin e Vlorës për të parë se ku mund të fshihet ky mjet lundrues.

Sipas policisë, gomonia ishte e pajisur me 2 motorë dhe ngarkesa ishte mbuluar me çarçaf. Shërbimet policore konstatuan se mjeti lundrues ishte rreth 7-8 metra i gjatë me dy motorë.

Në mjet nuk ka qenë asnjë person ndërsa burimet konfirmojën se në kërkim janë dy skafistë.

Ende nuk dihet sasia e drogës që mund të ketë qenë në mjetin lundrues. Grup hetimor po kryen hetimet për të zbuluar detaje shtesë nga ky trafikim.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë