Ka ndodhur

Zjarri djeg 4 kasolle bagëtish në Lushnjë, vijon të jetë aktive vatra në Lezhë

Gazeta Si – Një vatër zjarri është aktivizuar në fshatin Kasharaj të Lushnjës, ku rrezikohen disa banesa.

Raportohet se zjarri është përhapur nga pakujdesia pas djegies së disa mbeturinave dhe më pas ka vijuar përhapjen dhe ka djegur katër kasolle bagëtish dhe magazina ushqimore duke vazhduar në drejtim të pyllit.

Banorët e lagjes kanë larguar bagëtitë dhe me mjete rrethanore kanë mbajtur nën kontroll zjarrin.

Pasi mbërritën dy zjarrfikëse nga qyteti i Lushnjës kanë izoluar dhe shuar flakët e zjarrit duke ruajtur banesat si dhe pyllin ngjitur me vendin ku ndodhi zjarri.

Tre persona janë proceduar penalisht në Divjakë dhe Lushnjë, pasi u vunë zjarrin tokave të tyre, ku për pasojë u dogjën sipërfaqe toke me ullinj, në pronësi të shtetasve të tjerë.

Ndërkohë, vatra e zjarrit në vendin e quajtur Kthesa e Balldrenit në Lezhë, është riaktivizuar mëngjesin e kësaj të mërkure.

Aktualisht po punojnë 60 forca të armatosura, 7 forca policore 15 forca zjarrfikëse me 3 mjete zjarrfikëse.

Gjithashtu për shuarjen e flakëve po punojnë dhe shërbimi pyjor dhe forca vullnetare.

Vatra e zjarrit vazhdon të jetë aktive me intensitet të ulët. Ana veriore është vënë nën kontroll dhe po punohet me pjesën perëndimore.

Fatmirësisht nuk ka të lënduar si pasojë e flakëve si dhe nuk rrezikohen banesat.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë