Politike

PS fut me shpejtësi rezolutën për raportin e Dick Marty, por “harron” të pranojë rezolutat e PD për gjenocidin serb në Kosovë  

Projekt-rezoluta e socialistëve për të rrëzuar raportin e Dick Marty mbi pabazueshmërinë e pretendimeve për trafikimin e paligjshëm të organeve njerëzore në Kosovë dhe Shqipëri u kthye në objekt debati nga deputeti i PD-së, Enkelejd Alibeaj në komisionin e Jashtëm me argumentin  ky i fundit ka depozituar  një tjetër rezolutë për dënimin e genocidit serb në Kosovë, por që nuk është përfshire askund në axhendën parlamentare.

Për dënimin e gjenocidit serb në Kosovë është paraqitur edhe një tjetër projekt-rezolutë nga Tritan Shehu, as ajo e përfshire në axhendën e Konferencës së Kryetarëve edhe pse të dy dokumentet kanë kohe që janë depozituar në Kuvend.

“Ka një afat limit. Afati limit është 30 ditë nga momenti i depozitimit. Do të thotë që për rezolutën e paraqitur prej meje afati do të duhet të ishte 27 qershori, për kolegun Shehu 30 qershori.

Për rezolutën duhet të ishte përcaktuara data dhe koha e debatit. Nuk ndodhi as njëra as tjetra. Kryetarja e Kuvendit asnjëherë nuk ka ushtruar detyrimin e saj dhe asnjë në Konferencën e Kryetarëve nuk ka pasur kurajon për të zbatuar rregulloren.

Për projektrezolutën e zotit Shehu brenda tre ditëve do të duhej të ishte thirrur për të bërë edhe ai prezantimin e rezolutës së vet…

Koha ka qenë e mjaftueshme, asgjë nuk ka ndodhur nga përfaqësuesit e maxhorancës. E di që këtu është Komisioni i Politikës së Jashtme dhe nuk mund të bëjë asgjë për neglizhencat e Kryetares së Kuvendit.

Ngela i befasuar nga fjala juaj në hapje që sot jemi mbledhur vetëm për një akt, qenka akti i depozituar nga 7 anëtarë të maxhorancës, dje. Mund t’ju sjellë në vëmendjen tuaj se do të duhet që kjo projekt rezolutë të ndjekë të gjitha procedurat hap pas hapi”, tha Alibeaj në mbledhjen e Komisionit.

“Unë kam ardhur për të prezantuar projekt-rezolutën e 27 majit, po bëhet shumë kohë që është depozituar, po bëhet kohë që bëhet sikur ajo nuk ekziston, pavarësisht se këmbanat e mia dhe të zotit Shehu janë ngritur në çdo seancë parlamentare”, shtoi Alibeaj.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë