Komunitet

Dokumentari – Pse gratë s’e denoncojnë dhunën seksuale

Çfarë pamjeje ka një viktimë e dhunës seksuale? Çfarë thonë ato? Si vishen? Si e sigurojnë jetesën? Çfarë e bën historinë e tyre të vërtetë, të besueshme dhe që meriton të dëgjohet? Përgjigja sigurisht, është se nuk ka një mënyrë “të duhur” për të rrëfyer historinë dhe nuk ekziston një gjë e tillë si viktimë “e mirë”. Kineastja Jade Jackman po përpiqet ta davaritë këtë mit me projektin e saj të fundit –një film rreth dhunës seksuale me një skenar, që rrëfen historitë e viktimave të vërteta. Kineastja dëshiron të inkurajojë të gjitha gratë, por edhe njerëzit që kanë përjetuar seksualizim, të ndajnë historitë e tyre të dhunës seksuale, ngacmimeve dhe sulmeve që kthehen në skenar, ndërsa rrëfyesi mbetet anonim. Skenari do të përbëjë edhe themelin e filmit të Jackman.

“Vetëm 15 përqind e grave shkojnë në polici pas një incidenti apo përdhunimi”

Dokumentari do të eksplorojë se përse gratë nuk i raportojnë sulmet seksuale, qoftë në polici apo autoritete të tjera të rendit apo edhe miqve dhe familjarëve. Në bashkëpunim me gratë e skenës së jetës së natës, ky film vjen në kohën kur viktimat janë më të sulmuara se kurrë, pasi ndajnë historitë e tyre. Ne jemi, në fund të fundit, duke jetuar në një epokë ku Brett Kavanaugh zgjidhet gjyqtar i Gjykatës së lartë, pavarësisht akuzave për sulm seksual, ndjekur nga dëshmia emocionuese e Christine Blasey Ford.


“Vetëm 15 përqind e grave shkojnë në polici pas një incidenti apo përdhunimi”, rrëfen kineastja. “Duke e vendosur këtë në kontekst me përvojat e mia, të miqve të mi dhe faktin se shumë raste të abuzimit seksual përmendin historinë seksuale të paditësit, doja të realizoja një dokumentar eksperimentues mbi arsyet se përse gratë nuk denoncojnë.
“Si dikush që ka punuar kundër dhunës ndaj grave për vite të tëra, gjithashtu doja të ndryshoja narrativën pamore rreth saj. Për fat të keq, shumë prej nesh i përjetojmë gjatë jetës dhe kemi nevojë të përdorim krijimtarinë për të ndryshuar stereotipin, sesi duket një viktimë e “mirë” dhe e “besueshme””. 

Nuk është mungesa e guximit që i ndalon shumë të denoncojnë këto lloj përvojash, ka të bëjë me mungesën e spikatur të mbrojtjes dhe ndjeshmërisë që procesi ligjor ofron

E frymëzuar nga kërkimi shkencor “Kthimi i trupit tim” dhe duke marrë indicie nga jeta e natës, pamjet e filmit janë frymëzuar estetikisht nga kthime të turbullta dhe të çoroditura në shtëpi, në ndenjësen e pasme të taksive dhe kujtime të mjegullta të duarve të dehura –dhe me gjasë të padëshiruara. Zgjedhjet estetike janë pasqyrim i përvojave personale të kineastes me dhunën seksuale. “Nuk mund të flas për këdo që është seksualizuar si grua mund të flas nga përvoja ime dhe historia që po përpiqem të rrëfej,” shpjegon ajo.

“Jam sulmuar seksualisht nga mashtrues, që më kanë bërë të ndihem “Kujt duhet t’i them?” Kur këto gjëra ndodhin në një dalje natën me të pira, gjimnastika mendore që viktimat bëjnë është e ashpër,  pasi e dinë se shpesh do të traumatizohen sërish nga procesi i denoncimit. Nuk është mungesa e guximit që i ndalon shumë të denoncojnë këto lloj përvojash, ka të bëjë me mungesën e spikatur të mbrojtjes dhe ndjeshmërisë që procesi ligjor ofron, që i gropos  shumë prej këtyre historive.

Në bashkëpunim me gratë e skenës së jetës së natës, ky film vjen në kohën kur viktimat janë më të sulmuara se kurrë, pasi ndajnë historitë e tyre.

Projekti është kontribut i Jackman për lëvizjen #MeToo dhe një përpjekje për të ndryshuar vizualisht narrativën rreth mënyrës sesi duket një “viktimë e mirë” , si edhe paraqitja e dhunës seksuale në ekran.“Me këtë film, dua të shfaq ata lloj njerëzish,  të cilëve zgjedhim t’u besojmë dhe atyre që nuk u besojmë”, thotë ajo. “Shpresoj që kur njerëzit ta shohin, të gjithë të mësojmë mënyra sesi t’u besojmë të gjitha grave  dhe t’i mbështesim viktimat.”



Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë