Ngjarje

‘Shkatërrimi i pronës me zjarr, 70% e vatrave në zonat malore nga dora e njeriut’. Gjykata: Dënohesh me 10 vjet burg

Shqipëria gjendet sërish nën temperaturat e larta dhe njëkohësisht autoritetet janë nën alarmin e zjarreve që është vështirë për t’i vendosur nën kontroll.

 Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi po shfaqet së fundmi në vizita në vendet fqinje për të kërkuar ndihmë si ai i avionëve Canader që u sollën nga Selaniku për të shuar flakët në malin e Çikës. Prefekti i Vlorës premton se situata shumë shpejt do vendoset nën kontroll megjithëse zjarri ka hyrë në ditën e katërt.  Edhe më herët në ishullin e Sazanit avioni grek 415  u atashua për të ndihmuar emergjencën e shqiptarëve pasi situata doli nga kontrolli.

Avioni nga Greqia për të shuar zjarrin në ishullin e Sazanit, 7 qershor 2022

Por më tepër se temperaturat e larta, 70% e zjarreve në zonat malore llogaritet që të jenë shkaktuar nga dora e njeriut.

 “Janë kryesisht banorë të zonave rurale që përpiqen të hapin tokë kullotë, apo të pastrojnë arat përmes djegies dhe më pas vatrat e zjarrit u dalin nga kontrolli”, thotë një nga zyrtarët e agjencisë së mbrojtjes civile, që nga ana tjetër vijon të jetë një institucion i mbërthyer midis problemeve të mos plotësimit me strukturë dhe po ashtu vijon të ketë thjesht rol organizativ, pasi pesha më e madhe e emergjencave e për pasojë edhe e zjarreve duhet menaxhuar nga pushteti lokal.

Prokuroria nga ana e saj së bashku me policinë shpall në kërkim banorë fshatrash që procedohen për shkatërrim prone me zjarr por që më pas ata nuk janë në gjendje të dëmshpërblejnë për dëmet materiale, aq më tepër që ligji nuk e parashikon diçka të tillë.

Një nga të hetuarit është edhe B.M  i cili verën e vitit të kaluar u hetua nga policia e Fierit për zjarrvënien në fshatin Libofshë. Në dosjen që iu tregua Gazetasi.al tregohet me detaje se si vepra e shkatërrimit të pronës me zjarr mbetet ende e pahetuar, ndonëse të dyshuarit konsiderohen si pirromanë.

“Zjarri sipas kqyrjes së shërbimeve ka nisur nga toka e shtetasit B.M – shkruan oficeri i policisë dhe si rezultat u dogj një sipërfaqe e madhe toke që u shtri në tokat e disa fshatrave si Libofshë, Petov dhe Vajkan. Nga zjarri janë djegur një pjesë e konsiderueshme rrënjësh me ullinj dhe agrume, të cilat u përkasin shumë pronareve. Zjarri ka qënë me intesitet të lartë dhe ka arritur lartësi të mëdha”, detajohet më tej.

Por dëshmitarët e pyetur, mes tyre fshatarë të shumtë, e përshkruajnë burrin që deshi të pastrojë tokën e tij si të alarmuar dhe duke bërë maksimumin.

“Pashë tym dhe pashë B.M i cili po përpiqej të fikte zjarrin në tokën e tij. E pyeta çfarë ke bërë por nuk m’u përgjigj, u përpoqëm të gjithë por zjarri dogji pemë e ullinj.”

Bashkëfshatari tjetër nuk ngurron të kujtojë në dosje se e kritikoi të dyshuarin.

“I thashë po nuk vihet zjarri në këtë erë pasi ai kishte dy tre orë që punonte duke pastruar e duke djegur barërat. M’u dëmtuan 200 rrënjë ullinj”, ankohet në polici banori i dytë.

Por banori që i thotë policisë se e pa të traumatizuar të akuzuarin është shtetasi L.B. i cili kujton se ndërkohë atij i ishin shkrumbuar 60 ullinj.

“Shkova menjëherë dhe pashë B.M që po mundohej ta fikte. E pyeta çfarë ke bërë kështu por ai vetëm ulërinte çfarë bëra çfarë bëra kështu.”

Policia kujton se ka pyetur dhjetra banorë të cilët përpos se numëronin dhjetra rrënjë me ullinj që ju dogjën, shtojnë edhe keqardhjen për bashkëfshatarin e tyre që nuk kishte patur qëllim të bënte dëme të tilla.

“Po shkoja tek toka dhe era ndihmoi për ta përhapur zjarrin. M’u dogjën 600 rrënjë limona, 100 rrënjë ullinj dhe sistemi vaditës me tubacion plastik”.

Nga ana e saj, prokuroria e Fierit i thotë Gazetasi.al se “ Vepra penale e parashikuar nga neni 151/2 i KP paraqet rrezikshmëri shoqërore të madhe, pasi cënon marredhëniet e rëndësishme juridike të vendosura nga shteti për të ruajtur të pacënuar pasurinë e shtetit dhe të shtetasve, të mbrojtura posaçërisht nga legjislacioni penal nga veprimet kriminale të djegies së tyre me zjarr”. 

Por gjykata nga ana e saj pavarësisht se të gjithëve ju ka ardhur keq për të moshuarin ka kujtuar sipas burimeve të Gazetasi.al se vepra e djegies së tokave dhe shkatërrimi i pronës me zjarr ka përhapje të gjerë dhe ndaj i moshuari duhet të vijojë të hetohet.

“Vepra penale, ashtu edhe i dyshuari kanë rrezikshmëri shoqërore, sepse ka dyshime që kjo vepër penale ka sjellë pasoja të rënda dhe marzhi i dënimit në maksimum për të është 10 vjet burgim. Gjithashtu duhet vënë në pah se, kjo lloj vepre penale ka një përhapje të gjerë në territorin e Republikës së Shqipërisë.” – mbyll arsyetimin trupa gjyqësore e cila nuk ka pranuar që ta lehtësojë pozitën proceduariale të të akuzuarit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë