Ngjarje

Tragjedia në det / Shpëtoi dy të miturit, fqinjët e kujtojnë me dhimbje dhe lot Anri Kashikun: Një hero

Gazeta Si – Në lagjen ”Mirdita” të Sektorit Rinia në Durrës, të gjithë janë përfshirë nga dhimbja dhe pikëllimi që ka lënë pas vdekja e Anri Kashikut.

18-vjeçari, i cili shpëtoi dy jetë, vëllanë dhe shokun e tij, por humbi betejën me dallgët e Adriatikut, është përcjellë këtë të premte në banesën e fundit në varrezat e fshatit Shënavlash.

Mes dhimbjes dhe hidhërimit, të afërm dhe bashkëfshatarë kanë mbërritur pranë familjes, e cila ka çelur dyert e mortit.

Gjëma që e goditi familjen, e ktheu nga Anglia të atin, i cili jetonte dhe punonte atje prej disa vitesh për të siguruar të ardhmen e tre fëmijëve dhe gruas në atdhe.

Anri ishte djali i madh i familjes Kashiku, i cili disa vite më parë u shpërngul nga Librazhdi në periferi të Durrësit, në lagjen ”Mirdita” të Sektorit Rinia.

Për fqinjët është një hero

Në emigracion, i ati e konsideronte Anrin shtyllën e shtëpisë. Të gjithë e njohin si një djalë të mbarë, të përgjegjshëm dhe të pasionuar pas futbollit, i cili sapo kishte mbaruar maturën.

Një i ri plot ëndrra për jetën dhe vullnet ka lënë një boshllëk të madh mes shoqërisë së tij, miqve dhe të njohurve, të cilët përveç pasioneve që kishte e kujtojnë edhe për dashamirësinë qe kishte ndaj tyre.

Fqinjët në fshat e konsiderojnë hero, pasi jo vetëm shpëtoi dy jetë, por ruajti një familje nga shuarja. Njëri nga të miturit që shpëtoi ishte fëmijë i vetëm.

”Ka bërë një heroizëm shumë të madh. Ka shpëtuar vëllain e vet dhe një djalë tjetër. Ai tjetri ishte djalë i vetëm, as motër, as vëlla. Nënën e kishte jashtë shtetit që punon dhe babanë në punë”, thotë një e afërme e familjes.

Një fqinje e përshkruan atë si djalë të urtë dhe se këtë vit kishte mbaruar gjimnazin.

“I urtë, i dashur, nuk bënte fjalë me askënd. Djalë hero që shpëtoi vëllain e vet dhe një komshi. Për vete vdiq. Ne po përjetojmë një dramë shumë të madhe. Mbaroi maturën këtë vit”, thotë ajo.

“Na vjen keq për të. Është një dhimbje e rëndë”, shprehet një tjetër.

Roja bregdetare dhe flamuri i kuq

18-vjeçari u fut në det bashkë me rojën bregdetare në sektorin e Bisht Pallës, Igli Shahinaj për të shpëtuar dy të miturit.

Shahinaj rrëfen se arritën të nxirrnin dy të vegjlit, por Anri në atë moment u zhduk dhe nuk mundi ta shihte më, pasi dallgët e kishin tërhequr.

“Ishim sinjalizuar që asnjë person s’do të futej në det për shkak se ishte i trazuar. Pamë dy të vegjël që po futeshin dhe u nisëm për tu dhënë ndihmë. Me mua vjen edhe vëllai i tij për të ndihmuar. I nxjerrim të vegjlit. Kthehem për të parë edhe për vëllain, por nuk shikohej trupi i tij”, – tregon ai për mediat.

Në të njëjtën linjë ka qenë edhe Policia e Durrësit, e cila deklaron se roja bregdetare kishte ngritur flamurin e kuq, që ndalon futjen në det në raste rreziku për shkak të dallgëzimit.

Sipas policisë, për të ndihmuar fëmijët, në det janë futur edhe roja bregdetare dhe i riu që mbeti viktimë.

Pas ndihmës së dhënë, fëmijët janë nxjerrë në breg, ndërkohë që 18-vjeçari nuk ka mundur të dalë nga deti.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë