Nga Gazeta Si – Platforma e njohur e transmetimit me pagesë, Netflix, njoftoi të mërkurën se do të prezantojë një shërbim të ri abonimi, më të lirë se ato aktualë dhe i mbështetur pjesërisht nga reklamat. Netflix tha gjithashtu se shërbimi i ri do të realizohet falë një marrëveshjeje me Microsoft, e cila do të kujdeset për pjesën teknologjike. Për momentin nuk dihet se sa do të kushtojë abonimi.
Prezantimi i abonimit të ri do t’i shërbejë Netflix-it për të nxitur më shumë njerëz të abonohen në shërbimin e tij dhe të përpiqen të rikuperojnë abonentët që kishte humbur muajt e fundit.
Ky është një ndryshim mjaft domethënës në ofertën e Netflix, menaxhimi i të cilit gjithmonë ka folur kundër planeve të abonimit me reklama në të kaluarën.
Platforma humbi shumë abonentë për herë të parë në më shumë se dhjetë vjet. Kjo çoi në humbjen e aksioneve të kompanisë amerikane të transmetimit deri në 25 për qind të vlerës së tyre në tregjet në SHBA.
Në komunikimin periodik dhe analizën e të dhënave ekonomike, Netflix do të shprehej se mbylli tremujorin e parë të vitit 2022 me rreth 200 mijë abonentë më pak se sa kishte në tre muajt e mëparshëm. Kompania njoftoi gjithashtu se nuk ishte në gjendje të shtonte 2.5 milionë abonentë të pritshëm në të njëjtën periudhë. Gjithashtu kompania parashikon një ulje të mëtejshme të numrit të abonentëve në tremujorin aktual, duke vlerësuar të paktën 2 milionë abonentë më pak.
Për vite me radhë Netflix ka qenë pikë referimi për të kuptuar se si po lëvizte industria e shërbimeve të transmetimit, si për numrin e madh të abonentëve të tij, ashtu edhe për sasinë e madhe të prodhimeve dhe investimeve. Vetëm këtë vit, kompania pret të shpenzojë deri në 20 miliardë dollarë për të prodhuar seriale televizive dhe filma. Vështirësitë e muajve të fundit vërehen me shumë vëmendje nga platforma të tjera të mëdha, duke filluar nga Disney, shërbimi i transmetimit të së cilës në thuajse dy vjet ka pasur suksese të rëndësishme.
Netflix beson se një nga shkaqet në uljen e rritjes së tyre lidhet me ndarjen e fjalëkalimeve për të hyrë në shërbimet e tyre, me njerëz të ndryshëm që përdorin të njëjtën llogari për të kursyer para.
Marrë nga Il Post, përshtati në shqip Gazeta Si
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




