Gazeta Si – Një 18-vjeçar është mbytur, ndërsa ka arritur të shpëtojë nga mbytja në det dy 15-vjeçarë, të vëllain dhe një shokun e këtij të fundit, të cilët ishin duke u larë në bregdetin e Bisht Pallës në Durrës.
I riu Anri Kashiku ka hyrë në ujë, por nuk ka dalë dot i gjallë prej andej. Dy 15-vjeçarët janë nxjerrë nga uji dhe janë dërguar më pas në spital.
Njëri nga dy të miturit e shpëtuar nga mbytja në plazhin Sektor Rinia ka dalë nga pediatria, ku të dy u shtruan pas nxjerrjes nga deti dhe është pranë familjes.
Ndërkohë i mituri tjetër ndodhet nën kujdesin e mjekëve. Ngjarja ndodhi këtë mesditë në Durrës, ku të miturit rrezikonin mbytjen, ndaj Anri Kashiku nuk hezitoi të shkonte për t’i shpëtuar.
18-vjeçari ka shkuar të shpëtojë të vëllanë dhe shokun e tij. E ndërsa të miturit kanë dalë në breg me ndihmën e tij dhe të personave të tjerë, i riu nuk ka mundur.
Dallgët e kanë zhvendosur trupin e tij dhe menjëherë është njoftuar policia kufitare, e cila ka nisur kërkimet për shpëtimin e tij. Po rreth orës 15.00 trupi i tij u gjet pa jetë në det.
“Rreth orës 13:30, në Sektor Rinia, Durrës, shtetasi A. K., rreth 18 vjeç, dyshohet se është futur në det, për të shpëtuar dy fëmijë të mitur, të cilët aktualisht ndodhen nën kujdesin e mjekëve. Shtetasi A. K. nuk ka mundur të dalë në breg”, ka bërë me dije policia.
Trupi i pajetë i Kashikut u gjet pas disa orësh kërkimesh.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




